Reagime të ashpra nga PDK e veteranët, pas deklaratave të Osmanit për Specialen e Raportin e Martyt

Miratimi i rezolutës së sponsorizuar nga Partia Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, e cila kundërshton një raport të Këshillit të Evropës me pretendime për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, u komentua si nismë e mirë dhe si aktivizim i politikës së jashtme të shtetit shqiptar.

Rezoluta është miratuar të enjten vonë në mënyrë unanime, me 125 vota të deputetëve.

Mirëpo një ditë pas miratimit të kësaj rezolute një deklaratë e Presidentes Osmani e zbehi këtë entuziazëm që solli Kuvendi i Shqipërisë.

Ajo pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se për luftën çlirimtare të Kosovës, UÇK-në e gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia, nuk janë të nevojshme rezolutat pasi konfirmohet përditë një gjë e tillë.

Mirëpo kjo deklaratë e Osmanit, nuk i ka pëlqyer fare deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

Jo në një postim në Facebook, ka thënë Osmani me këto deklarata shfaqë mjerimin institucional në Kosovë.

“Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt. Presidentja e Kosovës thotë: Pse t´iu themi faleminderit? Përgjigja e Vjosa Osmanit, në pyetjen e gazetarëve se përse nuk e kishte përshëndetur rezolutën e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, e shpërfaqë edhe njëherë mjerimin institucional që e ka kapluar Presidencën, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës”, ka reaguar Musliu.

Osmani është pyetur për ndonjë vizitë të mundshme tek të akuzuarit e Gjykatës Speciale që po mbahen në Hagë. Ajo tha se nuk kanë rëndësi vizitat sa të sigurohet shteti që ata që po akuzohen të kenë mbrojtjen e nevojshme.

“Ne nuk harrojmë. Kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”.

E kjo përgjigje ka sjellë reagime të shumta të zyrtarëve të nivelit më të ulët të PDK-së, por edhe të organizatave të luftës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), Faton Klinaku, e ka quajtur absurd këtë prononcim të Osmanit.

Klinaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se Osmani “po harron ajo se në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”.

“Kur e them unë për Hashim Thaçin dhe Gjykatën Speciale atë që e tha presidentja sot, është e arsyeshme, por kur e thotë presidentja është absurde. Po harron ajo se në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”, ka shkruar ai.

Tutje, ka thënë se ata që po mbahen në Hagë po e luftojnë termin “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Është turp për shtetin e Kosovës që e toleron këtë”

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu