Rezultati i zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor dhe 14 nëntor, solli një pozicionim të ri të partive në skenën politike. Për dallim nga zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit ku partitë opozitare pësuan rënie, fitimin e disa komunave ata e interpretuan si rikthim të fuqisë elektorale.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash ishte ai që prodhoi dramë elektorale dhe shkaktoi përmbysje rezultatesh. Partia e cila udhëheq me Qeverinë, e që në zgjedhjet nacionale kishte fituar mbi 50 për qind të votave nga qytetarët, nuk arriti që ta mbajë këtë rezultat edhe në këto zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje nga 38 komuna, ka fituar vetëm në katër prej tyre: Gjilan, Shtime, Kamenicë dhe Podujevë. Ajo ka humbur edhe garën për kryeqytetin dhe për qytetin e dytë më të madh të Kosovës, Prizrenin.
Ky rezultat i dobët nga LVV-ja po shihet si pasojë e shumë faktorëve, kanë vlerësuar analistët.
Analisti, Belul Beqaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se përgjysmimi i elektoratit është pasojë e shumë faktorëve por para se gjithash perceptimit të gabueshëm të vullnetit politik të votuesve që votuan ndryshimin e madh në shkurt të 2021 nga ana e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Përgjysmimi i elektoratit është pasojë e shumë faktorëve por para se gjithash perceptimit të gabueshëm të vullnetit politik të votuesve që votuan ndryshimin e madh në shkurt të 2021 nga ana e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Ata përvetësuan fitoren plebishitare, e cila në fakt ishte aproksimativisht 50 % reagim i zhgënjimit ndaj ish pushteteve, ndërsa vetëm 50% mbështetje ndaj Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që shihet me faktin se i njëjti elektorat e përgjysmoi pas tetë muajve mbështetjen ndaj kandidatëve të VV në zgjedhjet lokale që ishin më shume lojal ndaj Kurtit se sa personalitet që mbështetën nga mjediset e veta”, tha Beqaj.
Beqaj më tej shtoi se gabimet që bëri LVV-ja e që në fund u ndëshkua nga elektorati ishte qasja jo reale ndaj problemeve të brendshme dhe ndërkombëtare.
“Qasja jo reale ndaj problemeve reale, të brendshme dhe ndërkombëtare. Skenim i gabueshëm i prioriteteve që shkaktoi, agjendat jo adekuate, përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë lojal ndaj liderit pa mbështetje adekuate të mjediseve të votave, dhe fundja, arroganca e panevojshme ndaj opozitës. Në vend se Qeveria të merret me pasojat e ish pushteteve, ajo filloi të ofendojë dhe provokojë opozitën e cila e priti momentin e zgjedhjeve lokale për të ju hakmarrë”, theksoi Beqaj.









