Revolta duhet të shndërrohet në veprim

“Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundojnë ose në vajtim, ose në nënshtrim! Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose i braktisë hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme! Pastaj, pakënaqësia dhe revolta e shprehur në adresë të gabuar, vetëm e mbulon fytyrën e kriminelëve të vërtetë dhe e shpalosë frikën e elitave të popullit të nënshtruar! Andaj edhe duhet thënë hapur se ne shqiptarët e Maqedonisë, që nga viti 2001 e këtej – duke i pasur frikë banditët tanë partiak dhe duke mbetur peng i interesave tona personale – kurrë nuk patëm guxim që pakënaqësinë dhe revoltën, ta shprehim në adresën e duhur – përpara selive të BDI-së dhe PDSH-së – ku në mos më shumë, drejtuesve të këtyre dy partive do u thoshim se, nuk ka regjim maqedonas mamaje, që do mundej, pa mbulesën e tyre, të na çonte të jetonim nga një ‘Sopot’ deri te një ‘Brodec’, nga likuidimi i Harun Aliut deri te ‘Monstra’, nga rrahjet e të rinjve tanë nëpër autobusë deri te ndodhitë në ‘Lagjen e Trimave’, nga një “Enciklopedi Maqedonase’ deri te një projekt si “Shkupi 2014’…! Andaj le ta themi hapur atë që duhet ta dijë mbarë shqiptaria: ne e jetuam dhe jemi duke e jetuar kalendarin tragjikë të përbuzjes sonë institucionale, jo vetëm pse na përfaqësojnë dhe drejtojnë politikanë të pafytyrë dhe kriminelë shqiptarë, por edhe pse shumica prej nesh, për hajdut dhe kriminelë, i mbanim vetëm ata të partisë së ‘tyre’ që na vidhnin, që na përjashtonin nga puna dhe që na bënin keq neve, por jo edhe ata që i vidhnin, i përjashtonin nga puna dhe u bënin keq të tjerëve! Apo thënë edhe më qartë: që nga viti 2001 e këtej, ne shqiptarët e Maqedonisë nuk vuajmë vetëm pse ram në duart e drejtuesve kriminelë partiak, por edhe pse i rrënuam të gjitha standardet vlerësuese, me çka na u shumuan njerëzit e ‘mëdhenj’ dhe ‘mendjendritur’, por u pakësuan ata të ‘rëndomtët’, të cilët në mos më shumë, nuk e shkelin dhe nuk e shesin njerëzoren në vetvete!”, shkruan në faqen e tij në facebook, shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu