Bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, në një deklaratë për Alsat betonoi qëndrimin se ministri aktual Fatmir Limani nuk do të jetë pjesë e kombinatorikave të VLEN-it gjatë bisedimeve me kryeministrin Hristijan Mickoski për rikonstruimin e Qeverisë. Sipas Kasamit, VLEN vetë do t’i propozojë emrat për pozitat e ekzekutivit.
“Nga kongresi i parë që mbajti VLEN-i, tanimë kemi një strukturë të re të VLEN-it që nga presidenca, lidershipi dhe kuvendi qendror. Në gjithë këto formacione politike të VLEN-it, Fatmir Limani nuk bën pjesë. Ai vetë vendosi dhe zgjodhi të vetëdistancohet, kështu që në bisedimet me kryeministrin ashtu si në herën e parë kur është formatuar Qeveria, por edhe në riformatimet e saj edhe tash, do të flasim si dy partnerë të koalicionit, ku çdonjëri do të propozojë kandidatët e tij që i ka. kështu që në këto kombinatorika mund te them që Fatmir Limani nuk është pjesë”, thotë për Alsat, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
Kryeministri Mickoski në intervistën për Alsat mbrëmë tha se çështja e Fatmir Limanit do të hapet gjatë bisedimeve me partnerët e VLEN-it.
“Kur të jenë bisedimet për qeverinë, do të diskutojmë, do t’i hapim të gjitha temat, do të bëjmë analizë të përbashkët, unë jam i bindur se me partnerët e VLEN-it, deri tani kemi pasur dialog të hapur dhe të sinqertë, dialog partneriteti, ashtu edhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, tha mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski.
Çështja e rikonstruimit diskutohet mbi 7 muaj, megjithatë pavarësisht emrave që kanë qarkulluar në media dhe opinion, ende nuk ka asgjë zyrtare. Krahas Fillkovit, përflitet që të zëvendësohet edhe pozicioni i ministrit të Administratës Goran Minçev, por edhe atij të Kulturës, Zoran Lutkov. Në bllokun politik shqiptar, VLEN përveç për pozitën e Limanit, duhet të propozojë emër edhe për pozitën e Arben Fetait, i cili dha dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë. Ndonëse të gjitha mundësitë janë në tavolinë, kryeministri deklaroi se fokusi do të jetë cilësia, jo te sasia. /Alsat.mk.










