Të martën pritet të dorzohen emrat në Qeveri të përbërjes së re të Qeverisë, ndërsa sipas informacioneve të brendshme nga takimet e Kryesisë së VLEN-it, shumica e emrave të propozuar për poste ministrore vijnë nga Tetova, duke ngritur pikëpyetje për balancën rajonale të përfaqësimit brenda koalicionit.
Sipas këtyre informacioneve, Sedat Sulejmani pritet të emërohet ministër i Kulturës, Jeton Shazivari ministër i Drejtësisë, ndërsa Agon Ferrati ministër i Marrëdhënieve Ndëretnike. Të tre janë nga Tetova.
Ndërkohë, në kuadër të rikonstruimit priten edhe ndryshime në pozitat e zëvendësministrave, ku disa poste do të shuhen ose do të riorganizohen. Burimet bëjnë të ditur se, nëse ky konfigurim mbetet i pandryshuar, Zona Zgjedhore 5 nuk do të ketë asnjë përfaqësues në Qeveri, ndërsa edhe zonat 1 dhe 2 do të kenë një nivel dukshëm më të ulët të përfaqësimit krahasuar me pritjet.
Nga ministrat aktualë, Besar Durmishi do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e ministrit të Ekonomisë dhe Punës. Edhe ai vjen nga Tetova, duke e rritur më tej dominimin e këtij qyteti në përbërjen ministrore të VLEN-it.
Në kabinetin qeveritar mbeten gjithashtu Muhamed Hoxha, nga Saraji, si ministër i Ekologjisë, si dhe Bekim Sali, nga Çairi, i cili do të vazhdojë të jetë ministër për Eurointegrime dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër i parë.
Nëse emrat e përfolur konfirmohen në seancën e së martës, përbërja e re e Qeverisë pritet të hapë debat mbi përfaqësimin territorial brenda VLEN-it, me kritika se qytetet dhe rajonet e tjera shqiptare kanë mbetur në plan të dytë përballë dominimit të kuadrove nga Tetova.










