Futbollisti shqiptar Altin Hoxha në një lidhje telefonike për Report Tv nga komuna e Montegranaro, 15 km larg epiqendrës ku u regjistrua tërmeti në Itali, i traumatizuar nga lëkundjet e forta sizmike u shpreh se situata është katastrofike, pasi shumë banesa janë shembur, por nuk ka viktima.
Altin Hoxha thotë se në momentin që ra tërmeti ishin në gjumë dhe se lëkundjet zgjatën 5-6 sekonda.
“Ishim në gjumë kur ndodhën lëkundjet, dolëm me vrap nga dhomat, ishim shumë të traumatizuar, mendonim se nuk do të mbaronin kurrë dridhjet, pasi zgjati gati 5-6 sekonda. Edhe tani ndodhemi në panik, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Edhe këtë natë do të flemë jashtë, pasi banesat janë dëmtuar. Jemi 15 km larg epiqendrës ku u regjistrua tërmeti. Lëkundet e mëngjesit ishin katastrofë, shyqyr që nuk ndodhi në darkë. Shyqyr Zotit ka vetëm dëme materiale. Shpresojmë që të mos ketë më dridhje në orët në vazhdim” shprehet Hoxha.
Lojtari shqiptar thekson se janë këshilluar nga ekipet e emergjencës që të mos qëndrojnë në shtëpi, pasi rrezikojnë nëse do të ketë tërmete të tjera në vazhdim duke qenë se Italia ditët e fundit është lëkundur disa herë.
“Nuk flemë në darkë, maksimumi 4-5 orë këto 3-4 ditë, pasi rrimë zgjuar nga frika e lëkundjeve ditët e fundit”.
Altin Hoxha është pjesë e ekipit të komunës ku banon dhe sot pavarësisht tërmetit do të zbresin në fushë për të zhvilluar ndeshjen e radhës.
“Klubi ka thënë që duhet të luajmë ndeshjen sot, pasi do të largojmë mendjen, pasi është situatë e vështirë psikologjike. Shpresojmë që të mos ndodhin më këto tërmete, pasi është e tmerrshme” përfundoi ai për Report Tv.