Rrëfimi i një të përmbyturi në Fier: U mësuam të vuajmë, shteti vjen por dëmshpërblim s'jep

Banori i fshatit Ferras, Ylmi Ferraj, bën apel për ndihmë, pasi në këto temperatura të ftohta të dhjetorit, janë në mes të të ftohtit dhe thuajse në qiell të hapur.

Ai kërkon ujë, bukë e ushqime, pasi uji, që arriti gati 2.5 metra në shtëpitë e tyre, i ka lënë pa asgjë. E vetmja masë që arritën të merrnin, ishte strehimi i gjësë së gjallë. Ndërsa shpendët kanë ngordhur.

Ju kishin lajmëruar më herët se fshati juaj do të kishte përmbytje dhe ju të merrnit masa për t’u evakuuar?

Na kishin lajmëruar që të kishim kujdes se po vinte një përmbytje, por ne nuk kemi ku t’i lëmë bagëtitë e shtëpitë. Ne jemi përmbytur disa herë dhe jemi mësuar që të vuajmë…

Çfarë dëmesh keni pasur ju?

Të gjitha çfarë kam në shtëpi. Ne e kemi shtëpinë njëkatëshe dhe uji hyri i gjithi brenda. Nuk parandalohet vërshimi ujit. Morëm masa që të ndalonim rrjedhën, por nuk ishte e mundur. Na janë dëmtuar gjithë mobiliet dhe elektroshtëpiaket. Tani nuk kemi ku të rrimë. Uji është tërhequr disi, por problemi është se si do jetojmë ne këtu?

A kanë ardhur nga institucionet shtetërore për t’ju dhënë ndihmë?

Këtu në fshat kanë qenë gjatë gjithë këtyre dy ditëve, por ne tani duam të na ndihmojnë se jemi pothuajse në qiell të hapur. Nuk kemi me çfarë të sigurojmë të ardhura që t’i zëvendësojmë dëmet e humbura.

Çfarë ju duhet këto ditë, si më emergjente?

Na duhet ujë, bukë dhe ushqime. Kemi dy tri ditë që nuk lëvizim dot, se është e rrezikshme. Deri te fqinjët kemi qenë që kishin shtëpitë dykatëshe, por nuk dalim dot në qytet të blejmë ushqime e gjëra.

Po energjia elektrike?

Nuk ka. Dihet ajo punë. U hoq energjia qysh atë ditë që filluan reshjet, sepse shtëpitë në gjithë fshatin janë nën ujë. Nuk jetohet në këto kushte. E kemi herën e tretë që vuajmë të njëjtat fatkeqë- si. Sa mbledhim veten nga përmbytjet e para, na vijnë të tjerat. Ne nuk kemi asnjë mundësi. Burrë e grua jemi pa punë. Si do ta ndreqim jetën nga e para?

Kur jeni përmbytur herë tjetër, a keni marrë dëmshpërblime?

Nuk kemi marrë asnjëherë, përveçse disa ushqime në ditët e përmbytjes. Ne kjo na tremb më shumë, se prapë vetë do t’i zëvendësojmë, si lavatriçen, edhe frigoriferin e sobën, se të tjerat i nxjerrim në diell të na thahen kur hapet koha. Nuk është jetë kjo. Katastrofa natyrore të tilla prekin edhe vende të tjera të botës, por ata kanë fuqi ekonomike.

Shteti nuk ju ka ardhur në ndihmë?

Ata këtu kanë qenë, gjithë natën këtu. Nuk ankohemi dot. Na kanë qëndruar pranë. Por problemet janë me dëmshpërblimet.

“Jemi pa energji, nata është problem se bën shumë ftohtë”

NOVOSELE- Banesa e Arben Shakaj në Novoselë është ende nën ujë. Ai ka vendosur të mos largohet nga shtëpia, por të evakuojë pjesën tjetër të familjes te të afërmit e tij. Pa energji elektrike, pa ujë dhe me mungesa ushqimore, ai, si shumë banorë të tjerë të kësaj zone, po kalojnë momente të vështira.

Situata duket e njëjtë me vitin 2015…

Jo, këtë vit prurjet e lumit Vjosë kanë qenë më të mëdha se dy vite më parë. Situata ka qenë më pak problematike, për shkak se nuk ka pasur erë të fortë dhe janë vënë pengesat e duhura për të mos u çarë argjinaturat.

Ju çfarë dëme keni pësuar?

Kati i parë i shtëpisë është mbuluar nga uji plotësisht. Sot, situata është disi më e qetësuar, pasi uji ka nisur të tërhiqet, por momentet e para të daljes nga shtrati të lumit Vjosë, kanë krijuar probleme të mëdha. Për momentin nuk mund t’i llogarisim ende dëmet, pasi ka prani të ujit në katin e parë të banesës, por mendoj se janë të konsiderueshme. Kati i parë ka ujë dhe duhet që ai të largohet dhe më pas të shohim dëmet.

Familjarët ku i keni strehuar?

Një pjesë ndodhen në katin e dytë, ndërsa të tjerë te të afërm në zonën e fshatit ku ka pasur më pak probleme.

Si keni bërë për ngrohje, keni energji?

Në këtë situatë jemi munduar ta zgjidhim me çfarë të mundim ngrohjen në banesa, pasi energjia ka munguar prej momenteve të para pas nisjes së përmbytjeve në fshat. Natën, pa dyshim, që bën ftohtë dhe ngrohja mbetet një problem i madh në kushtet ku edhe jemi. Fëmijët i kemi dërguar në të afërm tanët në qytetin e Vlorës, pasi për ata është edhe më e vështirë. Nuk mund të qëndrojnë gjithë ditën pa ngrohje./Panorama