Gjykata e Apelit e Shkupit i hodhi poshtë si të pabaza ankesat e disa prej të akuzuarve në rastin “Llaskarca”, që ka të bëjë me aksidentin me autobus që ndodhi në vitin 2019, në të cilin humbën jetën 16 pasagjerë dhe mbi 30 u lënduan, përcjell TV21.
Pjesërisht e pranoi ankesën e Prokurorisë Themelore Shkup, në një mënyrë që ia rriti dënimet me burg pronarit të kompanisë “Durmo Tours”, të akuzuarit Durmish Beluli, nga katër në dhjetë vjet, personit përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari, nga gjashtë në dhjetë vjet dhe dy punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, nga pesë në shtatë vjet burg.
Dënimet e punonjësit të tretë në stacionin e kontrollit teknik, Jane Bovarovski, dhe shoferit të autobusit, Manoill Trifunovski, mbeten të njëjta, pesë dhe 14 vjet burg.