Rusët marrin kontrollin e Severodonetsk në lindje dhe sulmojnë sërish Kievin: Çfarë po ndodh sot në Ukrainë

Rusët sulmuan mëngjesin e sotëm kryeqytetin e Ukrainës. Disa raketa u lëshuan pranë qendrës së Kievit, duke shkaktuar shpërthime të mëdha dhe është dëmtuar një ndërtesë banimi.

Sulmet erdhën disa orë pasi presidenti Volodymyr Zelensky bëri një tjetër kërkesë për sistemet e mbrojtjes ajrore nga aleatët e Ukrainës. Zelensky ka paralajmëruar se lufta po hyn në një “fazë të vështirë moralisht dhe emocionalisht”.

Deklarata e tij, vjen pasi qyteti kyç lindor i Severodonetsk, ku ishin përqendreuar luftime të ashpra për javë të tëra ra plotësisht nën kontrollin rus të shtunën.

Sakaq, udhëheqësit nga grupi G7 i vendeve të industrializuara, të mbledhur në Gjermani, pritet të premtojnë mbështetje të re ushtarake për Kievin dhe të vendosin më shumë sanksione ndaj Moskës.

Zhvillimet më të fundit nga Ukraina:

10:28- Sulmi në Kiev, Klitschko: Përpjekje për të frikësuar Ukrainën përpara samitit të G7

Kryebashkiaku Vitali Klitschko ka thënë se dy persona janë plagosur dhe e quajti një përpjekje për të frikësuar Ukrainën përpara samiteve ndërkombëtare këtë javë.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndalur zjarrin dhe për të nxjerrë njerëzit nga ndërtesat e shkatërruara. Shpresojmë që askush të mos ketë vdekur, por informacionin përfundimtar do ta kemi brenda disa orësh”, tha ai.

Korrespondenti i BBC Nick Beake thotë se zjarrfikësit janë duke lagur poshtë ndërtesën e banimit nëntë katëshe, ku dritaret janë shpërthyer dhe kati i fundit është shembur pjesërisht.

Ai thotë se autoritetet thonë se është shumë herët për të thënë nëse dikush është vrarë.

Një nga raketat e lëshuara nga Rusia u rrëzua dhe u ul në një fshat jo larg Kievit, thotë kreu i administratës ushtarake rajonale Oleksiy Kuleba në Telegram

09:17-Tjetër goditje për Putinin: Perëndimi dhe Japonia ndalojnë importet e arit rus

Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Japonia do të ndalojnë importet e arit rus si pjesë e sanksioneve të reja kundër Rusisë në përgjigje të pushtimit të saj në Ukrainë, tha Downing Street përpara samitit të G7 që fillon pas disa orësh në Gjermani.

“Këto masa do të godasin drejtpërdrejt oligarkët rusë dhe do të sulmojnë zemrën e makinës luftarake të Putinit”, tha kryeministri britanik Boris Johnson, i cili do të marrë pjesë në një samit treditor të G7, vendeve më të industrializuara në Alpet bavareze.

Presidenti amerikan Joe Biden ndodhet prej disa orësh në Mynih, Gjermani për të marrë pjesë në samitin e G7 nga 26 deri më 28 qershor në Slos Elmau. Biden u prit nga kryeministri i shtetit Marcus Zeder.

Më herët gjatë ditës, mikpritësi i samitit, kancelari Olaf Scjolz, ka mbërritur në Bavari, ku do të ketë një takim privat me presidentin amerikan të dielën para fillimit zyrtar të samitit.

08:51-Joe Biden në Mynih, mbahet sot samiti i G7

Presidenti amerikan Joe Biden mbërritu në Mynih, Gjermani, mbrëmë vonë për të marrë pjesë në samitin e G7, i cili mbahet nga 26 deri më 28 qershor në Slos Elmau, Bavaria e Epërme.

Biden u prit nga kryeministri i shtetit Marcus Zeder. Më herët gjatë ditës në Bavari ka mbërritur mikpritësi i samitit, kancelari Olaf Scholz , i cili sot, të dielën, do të ketë një takim privat me presidentin amerikan para fillimit zyrtar të samitit.

Biden dhe aleatët synojnë të paraqesin një front të bashkuar në mbështetje të Ukrainës ndërsa konflikti hyn në muajin e katërt.

07:53-Rusët shënjestrojnë sërish kryeqytetin, sulme me raketa në Kiev

Disa shpërthime ndodhën herët të dielën në lagjen Shevchenkivskiy të kryeqytetit ukrainas, Kiev, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko.

Nuk ka të dhëna për shkakun e shpërthimeve apo viktima. “Ekipet e ambulancës dhe ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendngjarje. Informacion më të detajuar, më vonë”, tha Klitschko.

“Banorët janë duke u shpëtuar dhe evakuuar nga dy ndërtesa”, bëri të ditur ai. Shpërthimet kanë ndodhur pranë qendrës së Kievit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu