Përmes një komunikate me shkrim Ministria e Jashtme ruse ka theksuar se Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të zbatojë politikën e kufizimeve “të paligjshme” dhe të njëanshme kundër qytetarëve dhe institucioneve ruse.
Në muajin mars BE-ja zbatoi sanksione kundër 6 shtetasve rusë dhe në përgjigje të kësaj Rusia mori vendim për të ndaluar hyrjen në territorin e saj për 8 zyrtarë evropianë, përfshirë Kryetarin e Parlamentit Evropian, David María Sassoli dhe nënkryetaren e Komisionit Evropian, Vera Jourova, rikujton komunikata e Ministrisë së Jashtme ruse.
Kurse BE e ka dënuar “në mënyrën më të fuqishme” këtë vendim të Moskës. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe Kryetari i Parlamentit Evropian David Sassoli kanë deklaruar përmes një komunikate të përbashkët se vendimi nuk ka asnjë referencë ligjore, është plotësisht i pabazë dhe i papranueshëm.
Në deklaratën e përbashkët të drejtuesve të tre institucioneve më të mëdha evropiane theksohet se vendimi nuk synon njerëzit, por vendos drejtpërdrejt në shënjestër BE-në.
“BE-ja rezervon të drejtën e saj për të marrë masa adekuate kundër vendimit të autoriteteve ruse”, përfundon deklarata e krerëve të BE-së.









