Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri do të dalë në një konferencë për mediat ditën e enjte të javës së ardhshme.
Një konferencë që pritet të nxjerrë në pah fakte të reja në angazhimin që ai ka marrë personalisht për të zbuluar të vërtetën lidhur me hetimet e nisura prej muajit nëntor të vitit të kaluar. Ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje dhe duke mos u ekspozuar shumë në media prej kohës kur hoqi dorë nga mandati i deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për të nisur betejën në një rrugë që ai thotë se nuk është e lehtë.
Lëvizjet e para i bëri duke faktuar me shkresa nga autoritetet italiane, se shoferi i kamionit i përmendur në përgjimet e dosjes “Habilaj” nuk ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, përveç emrit të njëjtë. Ende nuk dihet se çfarë detajesh të reja ka zbuluar Tahiri që do ta ndihmonin në dosjen hetimore të nisur ndaj tij për “trafik të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim me grupin “Habilaj”. Por i kontaktuar nga Express, ish-ministri thotë se gjithçka do të dalë në pah në konferencën e së enjtes.
Tahiri ka premtuar se nuk do të ndalet derisa të zbulohet e vërteta.
Kjo konferencë vjen në një moment shumë të ‘nxehtë’ të aktualitetit politik. Ish-deputetë të Partisë Socialiste janë vënë në pranga, pas aksioneve shumë të forta të Policisë së Shtetit që kanë konkluduar me arrestimin e dhjetëra personave, të akuzuar për krime të rënda.
Që prej lënies së mandatit të deputetit Tahiri ka qenë larg mikrofonave të medias dhe konferenca për shtyp e së enjtes pritet me interes shumë të madh.










