Sali Berisha “kalon” oqeanin, çon “Foltoren” në SHBA: Më 11 Dhjetor rithemelojmë PD-në

Rithemelim të Partisë Demokratike! Kështu e ka përkufizuar ish-kryedemokrati Sali Berisha Kuvendin Kombëtar të thirrur më datë 11 Dhjetor. Në “Foltoren” ku zhvilloi takim virtual me mbështetësit e tij në SHBA, Berisha u shpreh se në këto 8 vite Shqipërisë i ka munguar opozita për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në kushtet kur sipas tij, çdo gjë kontrollohet nga qeveria.

“Sot pas 30 vitesh njësoj si 30 vite më parë, shqiptarët përballen me një diktaturë të llojit tjetër, me një regjim të bazuar në drogë, krim dhe modelin e shkuar të Shqipërisë. Shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e kapur të plotokratëve të drogës dhe krimit që vendosin sot kudo në rrugë, institucione, parlament dhe qeveri. Për shqiptarët alternativë e vetme sigurie për jetën ka mbetur largimi i tyre masiv nga Shqipëria.

Sot ata paguhen më pak se të gjithë popujt e Ballkanit në një kohë kur rroga e tyre mesatare ishte më e larta në rajon. Sot ata paguajnë çmimet më të shtrenjta. Sot ata përballen me pasiguri të madhe për jetën dhe pronën e tyre. Përballen me një mjerim në thellim, në të cilin varfëria ekstreme është rritur me 3 dhe 4 herë. Shqiptarët kanë humbur zemrën e lirisë së tyre dhe votën e lirë. Prej 8 vitesh shoqëria shqiptare voton, narko qeveria numëron votat. Opozita nuk arriti asnjëherë të imponojë zgjedhje të lira dhe të ndershme duke ndjekur modelin e kundërshtarit, armik të votës. Deformoi votën brenda Partisë Demokratike. për ne është e qartë si drita e diellit se vota e lirë është ADN e vlerave të lirisë. e ligjeve dhe shtetit ligjor.

Ndaj dhe kjo lëvizje e cila synon t’i japë vendit një opozitë të vërtetë që të qëndrojë fuqishëm ndaj regjimit. Një opozitë që të ngjall shpresë dhe besim te qytetarët shqiptarë dhe natyrisht me qëllimin e saj të rikthejë në Shqipëri ligjin dhe vlerat konservatore të cilat kanë bërë botën e lirë, traditën më të shkëlqyer, dashurinë për vendin. Më 11 Dhjetor rithemelojmë de facto Partinë Demokratike”, u shpreh Berisha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu