Edhe pse projektligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk parasheh masa ndëshkuese, zëvendëskryeministri Bekim Sali siguron se ai do të zbatohet në praktikë.
I pyetur mbi mungesën e sanksioneve dhe efektin që kjo mund të ketë në garantimin e përfaqësimit të drejtë, Sali theksoi se përgjegjësia bie mbi institucionet shtetërore, konkretisht mbi Qeverinë.
“Garantues për zbatimin e këtij ligji jemi ne. Ligji për Përfaqësim Adekuat do të respektohet dhe do të zbatohet në administratën shtetërore”, deklaroi ai.
Sali sqaroi se ligji parasheh hartimin e akteve nënligjore, të cilat do të mundësojnë ndërhyrje konkrete në raste të nevojshme. Gjithashtu, ai bëri të ditur se do të krijohet një trup koordinues, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit.










