Samiti i “Ballkanit të hapur” në Beograd, i bashkohet Hungaria e Turqia, marrëveshja që do të nënshkruhet sot

Pas panairit të verërave të zhvilluar dje në Beograd në kuadër të Ballkanit të Hapur, sot do të mbahet Samiti. Në samitin e “Open Balkan” pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.

Krahas organizatorëve, në këtë samit do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.

Liderët e vendeve që kanë krijuar këtë nismë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

AGJENDA

09.50 – Mbërritja e Kryeministrit në samit

Kryeministri mirëpritet nga Presidenti dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë

09.55 – Foto familjare e liderëve

10.00 – Hapja e samitit “Open Balkan”

11.00 – Takim me përfaqësues të grupit të investimeve të Open Balkan

12.00 – Takim me përfaqësues të grupit të krizave ushqimore dhe energjetike të Open Balkan

13.00 – Ceremonia e firmosjes së marrëveshjeve

13.05 – Konferencë për shtyp e liderëve.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse dje në panair Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se Ballkani i Hapur është një projekt paqeje.

“Përpara se sa të vija këtu po shikoja pak fjalën që më kishte përgatitur ekipi im edhe vendosa që të mos e përdor sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në epokën e bronzit. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por di që kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri-tjetrit se kush ka qenë i pari, kush është më i vjetri. Ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër. Të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite e shekuj pas nesh. Si të qëndrojë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë së bashku në të njëjtën lagje të Europës? Besoj që edhe në këtë panair është e qartë që më mirë kështu së bashku duke afruar njerëzit se sa ashtu siç kemi qëndruar më parë me kurriz nga njëri-tjetri dhe me shumë konflikte dhe luftëra në mes. Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria ndërkohë që në Shqipëri çdo vit rritet me 10% sipërfaqia e vreshtave. Jam i bindur që ky panair do nxisë edhe plot të tjerë që të përshihen në këtë aktivitet. Sot ne kemi një vëllim tregtar mes tre vendeve tona i cili është nga afro 60 milionë në afro 100 milionë. 36 milionë Euro më shumë se sa vetëm 1 vit më parë. Ashtu sikundër eksportet shqiptare me Serbinë janë rritur vitin e fundit afro 30%. Po kështu edhe me Maqedoninë e Veriut, pak më pak po afro 30%. Të gjitha këto të dhëna na mjaftojnë për ta çuar përpara këtë nismë, që nuk është nismë jonë por është nisma për njerëzit.

Ballkani i Hapur është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, i një vizioni të përbashkët për të ardhmen që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e të shkuarës”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu