Sapo Sunak u bë kryeministër, tre ministra dhanë dorëheqjen

Tre ministra në qeverinë britanike dhanë dorëheqjen sot, pak orë pasi Rishi Sunak, kreu i ri i Partisë Konservatore u bë kryeministër. Në momentin kur Sunak pritet të fillojë emërimin e anëtarëve të qeverisë së re, dorëheqjet u ndanë nga Ministri i Drejtësisë Brandon Lewis, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës Jacob Rees-Mogg dhe ministrja e Punës Chloe Smith, sipas BBC, transmeton InfoShqip.

Lewis tha në Twitter se ai ishte “i nderuar të ishte një nga ministrat më jetëgjatë në qeveri”, ku ai mbajti tetë role ministrore në pesë departamente, nën katër kryeministra.

“Kryeministri i ri do të ketë mbështetjen time nga radhët e pasme (në parlament) në trajtimin e sfidave të shumta me të cilat përballemi si parti dhe si vend,” shkroi Lewis.

Rees-Mogg tha kohët e fundit se ai nuk priste të mbante një post ministror në kabinetin e Sunak, por tregoi se ishte i hapur ndaj tij, duke thënë se do të “bënte gjithçka që dëshiron” kryeministri i ri.

Ai tha sot se Partia Konservatore në pushtet duhet të bashkohet dhe të qëndrojë në krah të kryeministrit për të shmangur humbjen në zgjedhjet e ardhshme.

Smith tha se do të mbështesë Sunak nga radhët e pasme në parlament dhe se do të vazhdojë të punojë shumë.

Pas kryeministrisë kaotike gjashtë-javore të Liz Truss, Partia Konservatore po përpiqet të konsolidohet dhe të ndalojë rënien e popullaritetit të saj.

Krahas luftës kundër krizës ekonomike, të cilën ai e përcaktoi si prioritet, Sunak do të përpiqet të rikthejë edhe besimin e lëkundur të votuesve te Partia Konservatore, e cila është në pushtet që nga viti 2010./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu