“S’di t’i japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu”, Enzo Ferrari e trajtoi keq, djali i themeluesit të Lamborghini rrëfen vendimin e guximshëm që mori i ati

Djali Ferruccio Lamborghini, themeluesit të markës së njohur të automjeteve, ka treguar se si të atit i lindi ideja për prodhimin e makinave “Lamborghini” pas përplasjes me pronarin e Ferrarit, Enzo Ferrari.

Në një intervistë në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, Tonino Lamborghini ka rrëfyer se i ati, i cili prodhonte traktorë, mori vendimin për prodhimin e automjeteve pasi Enzo Ferrari e trajtoi keq.

Ferruccio Lamborghini i ofroi ndihmë për rregullimin e motorit të makinës Enzo Ferrarit, por ky i fundit iu përgjigj duke i thënë: “Ti nuk di t’u japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu”.

Sipas Tonino Lamborghini, biznesmeni u kthye në banesë shumë i inatosr dhe i kërkoi bashkëshortes së tij 1 miliard lira për t’i bërë konkurrenë Ferrarit.

“Shumë i inatosur. Ishim ulur në tryezë, po hanim tagliatelle-t dhe i thotë nënës: “Anita, më duhen një miliard lira”. Në atë kohë ishte një vlerë e stërmadhe. Nëna, i kthehet dhe i thotë: “Ferruccio, po çfarë do bësh me një miliard lira?” “Ferrari më trajtoi keq. Në fund të fundit, i kam blerë dy Ferrari. Unë prodhoj 52 traktorë në ditë, ai le të jetë prodhues i makinave të garave, po unë mbaj në punë një mijë punonjës të brendshëm, plus të jashtmëve. Pse më trajtoi kështu?! Ia tregoj unë atij!” Nëna ime u trondit, ku të shkonte t’i gjente një miliardë lira të kohës? I thotë: “Nuk i kam, po edhe po t’i kem, më duhen për të çuar përpara kompaninë”.

“Duhet të m’i gjesh!” i thotë. Më në fund, ia pret: “Sa shpenzojmë për reklama?” Asokohe, Italia ishte e veshur në çdo cep me tabela në rrugë, ku shkruhej: “Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”. Edhe sot mund t’i shohësh të braktisura nëpër rrugët e fshatit në Campania. I thotë: “Po, shpenzojmë shumë, shpenzojmë ndoshta një miliard lira”.

“Mirë, kur të skadojnë kontratat, ti mos i përsërit. Paratë m’i jep mua. Unë do i bëj konkurrencë Ferrarit. Do hap një fabrikë dhe, nëse ecën mirë, do kem më shumë përfitim në imazh sesa do të kisha me tabelat e reklamave”. Dhe kështu ndodhi”, tregoi biznesmeni italian.

Pikësëpari, faleminderit që pranuat ftesën në këtë vizitë blic në Tiranë. Është një nder dhe sigurisht një privilegj të flasësh me dikë që ka parë me sytë e tij lindjen e një legjende botërore e që më pas, ka trashëguar një peshë shumë të madhe. Si fillim, kur ishte hera e parë që dëgjuat fjalën “Shqipëri”?

Tonino Lamborghini: Nderi më takon i gjithi mua. Kryeministri – që jeni ju, Edi Rama – më ftoi, më priti me mikpritjen maksimale dhe më duhet të them që kjo më befasoi, më dha shumë kënaqësi. Kisha dëgjuar për personalitetin tuaj të fortë. Ju shoh shpesh, ju shohim shpesh në televizion në Itali me kryeministren tonë. E di mirë që keni një raport të shkëlqyer dhe nuk e mohoj që më vjen shumë mirë për këtë. Diçka që e kam fort për zemër është kjo lidhje e ngushtë që ekziston me vendin tuaj – të cilin nuk e njihja – dhe, për të thënë të vërtetën, në Itali, kur flitet për Shqipërinë, duket sikur bëhet fjalë për një vend mjaft të prapambetur, nëse më lejohet ta them. Unë erdha këtu dhe mbeta jashtë mase i befasuar nga modernizmi, nga pastërtia, nga eleganca e ndërtesave të reja dhe nga ruajtja e pjesës historike të vendit tuaj. Unë e dua shumë historinë, dua shumë arkitekturën. Besoj se i kam parë të gjithë muzetë e botës, por jo si kureshtar – të them si studiues është e tepërt – po, ndoshta, me një sy…, edhe pse, kur isha i ri, mendoja se do merresha, doja të merresha me arkitekturë. Pastaj, një ditë, im atë më tha: “A e kupton që ne kemi një aktivitet industrial?Ndoshta, do të ishte mirë ta shikoje edhe njëherë qëndrimin për shkollën.”

E kuptova menjëherë, kështu që, pastaj ndryshova universitet.Në fakt, nuk ndryshova, zgjodha universitetin. Për t’u kthyer te ne, qyteti juaj është i mrekullueshëm. Ka një mikpritje që ju, pastaj, e përcillni, sepse, zakonisht, kryeministri përfaqëson një popull dhe nëse ai është i sertë, i mbyllur, fodull, nënkupton që, me gjasë, edhe vendi, edhe populli ka këtë lloj mbylljeje. Në fakt, u pamë para gjysmë ore dhe jemi shumë miqësorë, kështu që, mendoj se duhet folur shumë më tepër për Shqipërinë. Besoj që duhet bërë, sepse vendi juaj është shumë i bukur, është shumë i ngjashëm me temperamentin dhe karakterin miqësor italian dhe është për të ardhur keq që njerëzit mendojnë se Shqipëria është ende një vend, ku të thonë, “ki kujdes, kujdes”. Po ç’kujdes! Me kujdes shkoj në Milano, me kujdes shkoj në Napoli, kurse, vij këtu dhe mund të lëviz rehat. Gjithçka është e pastër, në vendin e vet, pa zhurmë. Urime! Urime juve që e drejtoni prej shumë vitesh këtë vend dhe unë e di, sepse informohem, që populli ka shumë vlerësim, shumë konsideratë për ju dhe ju e keni ngritur këtë vend, e keni ngritur në atë pikë që sot është në pozitën për të bërë dialog me vende të cilat kanë historikisht një traditë më të thellë. Nuk është tamam epiteti i duhur. Kështu që, nuk mund t’ju them dot tjetër përveçse “bravo”.

Kryeministri Edi Rama: Falemnderit. Sigurisht, sigurisht, që, po t’i hysh ca më thellë, do gjesh edhe ata – që nuk janë pak – të cilët nuk do thonin të njëjtat gjëra për mua, megjithatë, është privilegj ta dëgjosh nga dikush që nuk ka asnjë lloj…

Tonino Lamborghini: Nuk mund t’u pëlqejmë të gjithëve, është e vërtetë.

Kryeministri Edi Rama: Jo, po t’u pëlqesh të gjithëve, ka një gjë që nuk shkon.

Tonino Lamborghini: Patjetër, sigurisht.

Kryeministri Edi Rama: Që t’u pëlqesh të gjithëve o duhet të kesh vdekur, o duhet të jesh i vdekur për gjumë. Po të punosh, po të marrësh vendime, po të përpiqesh t’i vësh gjërat në lëvizje, sigurisht, nuk duhet as ta pretendosh që t’u pëlqesh të gjithëve. Për t’iu kthyer pyetjes sime, kur keni dëgjuar për herë të parë të flitet për Shqipërinë, nëse ju kujtohet?

Tonino Lamborghini: Jo, sinqerisht, nuk e kujtoj, në mos, të themi pastaj edhe që në vitet e shkuara ky kujtim nuk ka qenë pozitiv.

Kryeministri Edi Rama: Momentin që shqiptarët mbërritën në Itali, në fillimvitet’90, ndoshta…

Tonino Lamborghini: Po, ka të ngjarë ajo të ketë qenë koha. Unë erdha paksa me hezitim.

Kryeministri Edi Rama: Po, po, e kuptova.

Tonino Lamborghini: Ndërkohë, qe një surprizë e jashtëzakonshme. Është kaq e vërtetë kjo, sa kam dëshirë të marr pjesë, qoftë edhe me diçka të vogël, shumë të vogël, në këtë fluturim që keni marrë tashmë, sepse, për fat të keq, e keni marrë ndërkohë, kështu që, para se të jetë shumë vonë, do të doja sikur edhe pak, fare pak të vendosja…

Kryeministri Edi Rama: Edhe ky do të ishte një privilegj. Do të ishte nder të kishim këtë emër kaq të rëndësishëm, si dhe gjithë historinë, por edhe gjithë përvojën, bujarinë, që karakterizon kompaninë tuaj, duke qenë se unë e kam ndjekur pak historikun tuaj. Përpara se të vijmë tek e pashmangshmja, që është të flasim për atë që e ktheu emrin Lamborghini në botë në një legjendë për të mëdhenj e të vegjël, i cili është babai juaj, dua vetëm të ndalem paksa te fakti që ne, sigurisht, jemi në një periudhë shumë më të mirë, çka më dha edhe kurajën t’ju ftoja të vizitonit Shqipërinë, sepse jam i sigurt që, para pesë vjetësh,nuk do të ishte e mundur as për ju të thonit: “Po mirë, po vij”. Tanimë perceptimi po ndryshon. Kemi shumë turistë italianë që vijnë, por ajo që thoni është e vërtetë. Për këtë dua që tashmë të kalohet në një tjetër nivel, me emra të mëdhenj të ekselencës italiane, që ta shohin Shqipërinë si një kufi jo vetëm të kapshëm, por edhe tërheqës. Nuk është vend pa probleme. Shqipëria nuk është Tirana, ka edhe realitete më të ndërlikuara, siç e thatë edhe ju shumë mirë.

Tonino Lamborghini: Si në të gjitha vendet e botës.

Kryeministri Edi Rama: Po, është e vërtetë, kemi këtë atmosferë sigurie në përgjithësi, që siç e thatë, për fat të keq, nuk e përjeton më në qytetet e mëdha, Milano, Napoli, por as në Paris apo Londër

Tonino Lamborghini: Po, sigurisht.

Kryeministri Edi Rama: Është e vështirë të mendosh të dalësh natën, me një orë…

Tonino Lamborghini: E pamundur në disa shtete.

Kryeministri Edi Rama: … në disa vende. Megjithatë, mendoj se për ta bërë këtë hop cilësor, na duhen njerëz që rrezikojnë dhe e kam parë që ju tashmë e keni diversifikuar atë çka keni trashëguar nga babai, që keni bërë gjëra të jashtëzakonshme në botën e mobilimit të brendshëm, në botën e turizmit. E keni çuar kafenë italiane në vende të paimagjinueshme më parë. Pyetja që dua t’ju bëj, përpara se të vazhdojmë më tej, është, “kur erdhi momenti që u ndjetë i çliruar nga barra e këtij emri të jashtëzakonshëm, që lidhej me një baba dominues, dhe i thatë vetes ‘ka Ferruccio Lamborghini, po ka edhe Tonino Lamborgini?’”

Tonino Lamborghini: Po të më lejoni, përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, dua të bëj një hap pas. Ndërsa shëtis në qytetin tuaj, gjë që nuk e bëj vetëm këtu, por kudo shkoj në botë, unë shoh të rinjtë, shoh pastërtinë. Në qytetin tuaj, nuk pashë shkrime në mure. Muret janë të pastra, të padëmtuara. Po të vëresh të rinjtë, sheh që janë të gjithë të rregullt, të pastër, të veshur me kujdes. Nuk veshin xhinse të diskutueshme, dua të përdor këtë fjalë.

Kryeministri Edi Rama: Ka edhe ashtu, ka.

Tonino Lamborghini: Po, por në përqindje minimale krahasuar me zona të tjera. I pashë të rregullt, i pashë të pastër. Pashë të rinj të gatshëm për t’u projektuar në të ardhmen. Në situata të tjera, sheh të rinj që rrinë e presin dhe as e kupton çfarë presin. Mbase, as ata vetë s’e dinë. Janë aty, kanë ardhur në botë, prindërit, mirë apo keq, i kanë mbajtur dhe ti vë re që nuk kanë ambicie. E sheh nga mënyra si lëvizin, e sheh nga mënyra si ecin, e sheh nga mënyra si mbajnë në dorë një shishe birre apo Coca Cola. Ja pra, këtu kam parë një copë bote ose Italie, që, për fat të keq, sot nuk është më. Po nuk është vetëm në Itali, po edhe në vende të tjera. Për mua, ky është një fakt shumë pozitiv. Ne duhet t’i hedhim sytë nga të rinjtë, nuk mund t’i hedhim tek ata të moshës sime. Ne duhet të shohim si reagon studenti, i riu, punëtori i ri dhe aty e kuptojmë nëse jemi në rrugën e duhur ose po bëjmë diçka gabim.

Tani të kthehem te ju. Unë nuk e kam pasur kurrë këtë peshë të madhe, sinqerisht, peshën e nënës ose të babait. Them të nënës, pasi nëna ime ka kontribuuar në sipërmarrjen familjare, sepse drejtonte një fabrikë. Nëna ime, një grua, në vitet ’50-’60 drejtonte një ndërmarrje që prodhonte 52 traktorë në ditë, me 1 000 punonjës në varësi në ato vite. Tani, në mes të kësaj, linda unë. Kur isha fëmijë, edhe më i rritur, angazhohesha, edhe pse në mënyrë jashtë mase minimale, kështu që kurrë nuk e kam ndjerë një peshë të tillë. Sigurisht, ndonjëherë të tjerët bëjnë që të të rëndojë, por kurrë nuk e kam ndjerë. Natyrisht, kam pasur dëshirën të bëja diçka përtej traditës familjare. Pyeta tim atë, i cili, kur isha pak më shumë se 20 vjeç, u tërhoq nga sipërmarrjet, më dha çelësat dhe tha…

Kryeministri Edi Rama: Episodi i famshëm…

Tonino Lamborghini: Po, episodi i famshëm: “Mos më kërko gjë, mos bëj pyetje, shihemi më 31 i 12-ti me bilancin përpara. Sinqerisht, m’u drodhën ca gjunjët dhe kur përpiqesha t’i kërkoja ndonjë mendje në tryezë, përgjigjja ishte: “Të kam thënë, flasim më 31 i 12-ti”. Shkoi mirë, kështu që, nuk e kam pasur këtë peshë, jo, jo edhe aq, në fakt, do thoja jo. Ndjeva nevojën të bëja diçka që ishte e gjitha e imja, duke vazhduar, njëkohësisht, me administrimin e sipërmarrjeve të familjes.Kisha një pasion, që ishte dizenjimi, le të themi, arti, art që nuk ishte aktiviteti im. Unë nuk kam qenë kurrë artist, edhe pse jam argëtuar shumë duke pikturuar apo duke shkruar poezi, po pa ndonjë pretendim. Megjithatë, është koncepti i së bukurës. Mendoj që e bukura kushton po aq sa e shëmtuara. Njësoj ose me pak dallim.

Kryeministri Edi Rama: Ndonjëherë, shpenzohen vlera marramendëse për të shëmtuarën.

Tonino Lamborghini: Po, sigurisht, por një filozof i madh, nuk më kujtohet kush, thoshte se “shumë e shëmtuara është një tipar i fituar po aq sa shumë e bukura”. Nuk di nëse bie dakord, sinqerisht. E ka thënë dikush dhe unë po e citoj, megjithatë, tipare të fituara… Është e vërtetë, që është shumë e vështirë të bësh diçka shumë të shëmtuar. Është shumë e lehtë të bësh diçka banale, por banalitet ka mjaftueshëm. Kështu, për aq pak sa mund të bëja, u përpoqa të jepja një kontribut në mënyrën time, me veçoritë e mia stilistike, me mendimet e mia dhe, disi, ia kam dalë mbanë.

Kryeministri Edi Rama: Ka një moment që e cekët, që është episodi i famshëm i çelësave, po ka edhe një tjetër moment që keni përjetuar dhe është kthyer në një kult edhe të kinematografisë, të historisë bashkëkohore, letërsisë, kujtesës, në të cilin babai juaj, Ferruccio Lamborghini, i cili prodhonte traktorë, por që përdorte një Ferrari, shkon te kolosi tjetër tejet dominues i asaj kohe, Enzo Ferrari dhe i thotë, “ka një gjë që nuk shkon te motori i veturës suaj dhe unë mund t’ju jap një dorë”, pa ia marrë mendja kurrë se nga ai takim do të lindte një tjetër ekselencë italiane, që ishte dhe vazhdon të jetë Lamborghini. Enzo Ferrari iu soll keq, u soll, le të themi, me mendjemadhësi, duke thënë “si të më japë mend mua një që prodhon traktorë?”

Tonino Lamborghini: “Ti nuk di t’u japësh makinave të mia, shko drejto traktorët e tu”.

Kryeministri Edi Rama: Ai, më pas, kthehet në shtëpi dhe ju ishit dëshmitar i këtij momenti.

Tonino Lamborghini: Shumë i inatosur. Ishim ulur në tryezë, po hanim tagliatelle-t dhe i thotë nënës: “Anita, më duhen një miliard lira”. Në atë kohë ishte një vlerë e stërmadhe. Nëna, i kthehet dhe i thotë: “Ferruccio, po çfarë do bësh me një miliard lira?” “Ferrari më trajtoi keq. Në fund të fundit, i kam blerë dy Ferrari. Unë prodhoj 52 traktorë në ditë, ai le të jetë prodhues i makinave të garave, po unë mbaj në punë një mijë punonjës të brendshëm, plus të jashtmëve. Pse më trajtoi kështu?! Ia tregoj unë atij!”

Nëna ime u trondit, ku të shkonte t’i gjente një miliardë lira të kohës? I thotë: “Nuk i kam, po edhe po t’i kem, më duhen për të çuar përpara kompaninë”.

“Duhet të m’i gjesh!” i thotë.

Më në fund, ia pret: “Sa shpenzojmë për reklama?”

Asokohe, Italia ishte e veshur në çdo cep me tabela në rrugë, ku shkruhej: “Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”, Traktorë “Lamborghini”. Edhe sot mund t’i shohësh të braktisura nëpër rrugët e fshatit në Campania. I thotë: “Po, shpenzojmë shumë, shpenzojmë ndoshta një miliard lira”.

“Mirë, kur të skadojnë kontratat, ti mos i përsërit. Paratë m’i jep mua. Unë do i bëj konkurrencë Ferrarit. Do hap një fabrikë dhe, nëse ecën mirë, do kem më shumë përfitim në imazh sesa do të kisha me tabelat e reklamave”. Dhe kështu ndodhi.

Kryeministri Edi Rama: Gjeniale.

Tonino Lamborghini: Goxha guxim, edhe goxha guxim.

Kryeministri Edi Rama: Idetë gjeniale kanë nevojë për guxim, apo jo? Nuk bëhen kot.

Tonino Lamborghini: Menjëherë, u vu në kërkim të tre inxhinierëve më të famshëm. Ishin të gjithë shumë të rinj, sapo kishin mbaruar universitetin. Punonin te Ferrari dhe Maserati. E bëri menjëherë. Dërgoi një mik për të parë terrenin dhe i tha: “Shko dhe m’i sill këtu!” Tani, pse qe e lehtë t’i merrje që andej? Nuk është kaq e lehtë të marrësh një të ri nga Ferrari apo nga Maserati apo jo? Karta fituese ishte se Lamborghini kishte treguar tashmë se dinte të prodhonte traktorë, kishte një biznes që zhvillohej prej vitesh, një kompetencë teknike, teknologjike dhe, mbi të gjitha, një sipërmarrje që kishte cilësinë më të lartë të makinerive dhe kërkimit mekanik. Tani, t’i thuash një inxhinieri, “eja me mua, të të tregoj atë që po bëj”, i jep një lloj entuziazmi. Për më tepër, duhet të marrim parasysh se Maserati i asaj kohe ishte pak i lodhur, nëse më lejoni të përdor një term të papërshtatshëm. Enzo, po, nuk kishte ndonjë karakter të lehtë, bënte zotërinë e padronin në të gjitha kuptimet. Kështu, im atë ia doli t’i merrte sa hap e mbyll sytë, duke iu thënë, “dua një makinë. E dua kështu, kështu, kështu dhe kështu.” Pra, nuk tha: “Më bëni një makinë, por e dua me këto veçori. Dua katër cilindra motori, ndezje e dyfishtë, 12 karburatorë. Dikur, të gjitha makinat, Ferrari, Maserati, AstonMartin, kishin balestra. Tani, çdokush që ka një moshë të caktuar e di që makinat, rrëshqitnin dhe dilnin nga kthesa, sepse, me balestër, makina kërcente përpjetë. Të sillje rrotat e pavarura, që sapo kishin nisur të shiheshin në Formula 1, ishte një hap i madh përpara. Kjo ishte arsyeja se pse, me këto ide shumë të qarta, këta inxhinierë të rinj u mbushën me entuziazëm të madh dhe gjithçka mori udhë me shpejtësi.Mendojeni pak që, për nëntë muaj, nëntë muaj, u prezantua prototipi i parë funksional. Sot, për nëntë muaj nuk bën dot asgjë.

Kryeministri Edi Rama: A reagoi Enzo Ferrari për këtë?

Tonino Lamborghini: Natyrisht që jo, përveç një rrëfimi të bërë me një gazetar të madh të kohës, i cili quhej Gino Rancatti… Gino Rancatti më ka dërguar një letër që e ruaj, ku thuhej se për herë të parë, Enzo Ferrari pranoi se kishte gabuar dhe se ndoshta duhej të ishte përmbajtur, sepse kishte sjellë në jetë një konkurrent.

Kryeministri Edi Rama: Nga ato që kam mësuar, kam përshtypjen se intuita e tij për atë që mendonte se Ferrari duhet të bënte me motorin doli që ishte e saktë.

Tonino Lamborghini: Po, sepse im atë e provoi vetë. Te Ferrari që digjte friksionin, montoi një friksion normal “Ferodo” që e montonte te traktorët. Përmasat përputheshin në mënyrë të përsosur, kështu që u montua, u provua dhe makina iu përgjigjej sforcimeve me zero probleme. Ja pse Ferrucio, im atë, shkoi te Ferrari, pa asnjë mendjemadhësi, pa asnjë krenari, duke thënë që, në thelb, po shkoj te një koleg, një bashkësipërmarrës, t’i them, “dëgjo, po e ndërrove këtë me këtë, problemi zgjidhet”. E bëri pa asnjë mendjemadhësi, si klient. E priti dy orë. Ndërsa priste dy orë në paradhomë – këtë ma tregonte im atë – thoshte me vete: “Unë prodhoj 52 traktorë në ditë. Kam 1 000 punonjës. Kam dy Ferrari dhe ky më lë të pres dy orë?” Pastaj, në Italinë e asaj kohe, tjetrit i drejtoheshe me “ju”. Ky vjen dhe i drejtohet me “ti”. Ferrari i flet tim ati me “ti”.

“Po pse më drejtohet me ‘ti’?”

Ato vite, kur shkoja në shkollë të mesme, nëse dikush ishte dy a tri vjet më i madh se unë, i drejtoheshe me “ju”. Më pas, natyrisht, bëheshim shokë dhe flisnim me “ti”, por, si fillim, ishte me “ju”. “Ta marrë e mira, ky si ia lejon vetes”. Kjo dhe e bezdiste tashmë. Pastaj, kjo qe historia. Le t’ua përcjellim edhe të rinjve. Nuk e di nëse në gjuhën tuaj keni “ti” dhe “ju”

Kryeministri Edi Rama: Po, e kemi.

Tonino Lamborghini: E keni. Atëherë, të rinjtë duhet të mësojnë që ka “ti”, ka “ju” dhe “ju” në shumës. “Ju” në shumës nuk përdoret më, edhe pse, është shumë e bukur. Kur sheh një të moshuar që të drejtohet e të flet me “ju” në shumës është e mrekullueshme.

Kryeministri Edi Rama: “Ju” në shumës nuk përdoret më?

Tonino Lamborghini: Shumë rrallë, vetëm në jug.

Kryeministri Edi Rama: Për ta mbyllur këtë hyrje…

Tonino Lamborghini: Dola ca nga tema, ndjesë.

Kryeministri Edi Rama: Jo, për ta mbyllur këtë hyrje mbi babanë tuaj, kam një tjetër kërshëri, për faktin që ju jeni mes atyre jo shumë personave, që kanë pasur mundësi të shohin në ekran një film për jetën e babait tuaj, të jetuar edhe prej jush si fëmijë. Kur e patë filmin, që, për ne të tjerët, ishte një vështrim për herë të parë në historinë tuaj të brendshme familjare, çfarë përshtypje ju la?

Tonino Lamborghini: Sigurisht pata emocione. Pjesa e parë e filmit, sidomos, ishte e fortë, sepse tregonte gjithçka nga fillimi, linda unë, vdiq nëna ime, fillon dalëngadalë aktiviteti. Ishte rrëqethëse. M’u bë mishi kokërr, themi në Itali. Pjesa e dytë, sipas meje, përkon më pak me të vërtetën. Kur ia thashë regjisorit, i cili është amerikan, ma priti: “Është film, nuk është dokumentar, kështu që ka ca gjëra që duhet t’ia servirim publikut, sepse kështu e do”. Nuk ka shumë dallim midis filmit dhe realitetit. Natyrisht, unë e kuptoj dhe më bezdis që nuk ishte aq besnik ndaj historisë. Sidoqoftë, mbetet një film i bukur. Mendojeni që ka qenë në vendin e dytë për katër muaj dhe dy-tre muaj më parë, gati nga fundi i vitit të kaluar vazhdonte të qëndronte në vendin e dhjetë në botë. Është shumë, është një përqindje shumë e lartë.

Kryeministri Edi Rama: Është film i bukur edhe pse, nëse do të kish qenë një film anonim, thjesht i dy personazheve… po, pikërisht sepse ka kaq shumë pasion për këto legjenda dhe ka kaq shumë tërheqje drejt këtyre figurave, edhe pse ishin karaktere krejt të ndryshme, ata janë mirëfilli dy personazhe filmikë. Edhe të duash, nuk i shpik dot këta dy burra kaq të ndryshëm, të cilët luftojnë mesveti, por shkruajnë historinë. Për këtë keni të drejtë, është një film fort i dobishëm dhe interesant.

Tonino Lamborghini: Le të themi që mund të ishte treguar pak më shumë vëmendje te pjesa e dytë. Po të më lejoni, dua t’ju jap një shembull. Në orën pesë pasdite, babai dhe gjyshi im pinin çaj me filxhanë porcelani. Po ku është parë që në fshat në Itali të pihej çaj?! Shumë-shumë, pihej një gotë verë, po jo çaji, që ndoshta e pinin familjet fisnike të fillimshekullit. Ose, vdes nëna ime dhe varroset në oborrin pas shtëpisë. I thashë regjisorit: “Shiko, ne kemi varrezat prej mijëra vjetësh”. “E, po në Amerikë kështu e bënin”. Po, ndoshta në Teksas, po nuk jemi në Teksas, jemi në Itali. Ja, pra, detaje të vogla, po mund të mënjanoheshin shumë mirë këto anekdota, të bëheshin realiste. Pse t’i bësh qejfin fshatarit të Teksasit, se ai është mësuar të varrosë… Për mua, mund të shmangej, megjithatë,është film i bukur. Po edhe filmi për Ferrarin është i bukur. Duhet ta pranojmë që edhe filmi që kanë bërë për Enzo Ferrarin është shumë i bukur. Mua më pëlqeu shumë. Kam dëgjuar shumë kritika, po mua, personalisht, më ka pëlqyer shumë.

Kryeministri Edi Rama: Po, po midis të dyve, ai film më duket më i fortë, edhe pse ky është i fortë, ka një fotografi shumë të bukur. Fotografia është fantastike.

Kryeministri Edi Rama: Ndërsa shkojmë drejt fundit të kësaj bisede, të kthehemi te ju dhe te ky zgjerim i markës edhe në atë drejtim që ne këtu në Shqipëri na intereson në mënyrë të veçantë dhe që është biznesi hotelier. Si lindi nevoja për t’i hyrë edhe kësaj gjëje apo erdhi natyrshëm, duke u zhvilluar gjithçka, hap pas hapi, nga mobilieria e tutje.

Tonino Lamborghini: Po, po. Është i gjithi një evoluim, mjediset e brendshme, mobilimi, dekorimi, bar-kafetë, hotelet. Më pëlqen të përfshihem. Më pëlqen të shkoj në një vend, kur ky vend është ende në fillimet e evoluimit të vet. Kam qëlluar edhe me shumë fat. Kam pasur fatin të takoj njerëz të cilët njohin emrin tim, gjërat që kam bërë, të cilët e kuptojnë që me aq pak sa mund të jap, sado pak, të mund të kontribuoj në përmirësimin e një sipërmarrjeje, të një nisme. Për fat të mirë, do në Dubai, a do në Tajlandë, në Kinë a do në Marok, janë të shumta nismat, në Abu Dhabi…

Kryeministri Edi Rama: Brazil

Tonino Lamborghini: Brazil. Brazilin do e përmendja edhe pse kemi dy ndërtime dhe ka dy të tjera në bisedime e sipër. Shumë të bukura, shumë të bukura! Brazilianët janë mjaft të zotë për të ndërtuar dhe, mbi të gjitha, shumë të vëmendshëm ndaj projektimit. Kanë ecur përpara edhe krahasuar me Italinë, janë shumë përpara. Ishin kështu që 40-50 vjet më parë. Herën e parë që vajta në Brazil, mbeta pa mend.

Kryeministri Edi Rama: Ata, në arkitekturë, kanë nga më të mëdhenjtë e historisë, Niemeyer-in, e të tjerë…

Tonino Lamborghini: Së pari do të ishte përmbushje për mua, të mund të them “mora pjesë” dhe jam i bindur që, mbase, do t’i bëjë mirë edhe sipërmarrjes vendase për t’u rritur, duke shfrytëzuar një emër. Më vjen shumë ndërmend tani shembulli i stilistëve që bëjnë një veshje shumë të bukur, por, pas një veshjeje të bukur, është një rrobaqepësi, është një fabrikë që e qep veshjen. Po kjo fabrika ka nevojë për stilistin, sepse i jep një prekje më shumë, që veshja të mos jetë thjesht e tillë, po të jetë veshje me stil. Ja, pra, ky kontributi im i vogël, besoj që mund të ndihmojë në këtë drejtim. Pastaj, komunikoj shumë mirë kur bëj diçka, pak prej emrit, pak se kam një personel mjaft efikas, po pak edhe pse jam kërkues dhe ju them, njerëz mos harroni, se pas këtyre sipërmarrjeve ka familje dhe familjeve iu duhet garantuar një rrogë, kështu që, le të angazhohemi me përkushtim maksimal, për ne dhe për ata.

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht, do të ishte bukur t’ju shihja sërish në Tiranë. Herës tjetër do i drejtohemi njëri-tjetrit me “ti”, shpresoj.

Tonino Lamborghini: E bëjmë që tani. Tashmë simpatinë e kemi krijuar.

Kryeministri Edi Rama: Siç e thashë, Shqipëria nuk është Tirana, Tirana nuk është Shqipëria në kuptimin që është kryeqyteti dhe është pak si vitrina e këtij transformimi le të themi. Pas saj ka vende më pak të zhvilluara, por ka…

Tonino Lamborghini:… mundësi të mëdha për turizmin.

Kryeministri Edi Rama: Ka edhe zona fantastike me natyrën, detin, malet. E them gjithmonë, mendoj se kur Zoti ka krijuar Shqipërinë, ka qenë e diel, ditë pushimi, ka marrë gjithë kohën për të hedhur në 28 mijë kilometra katrorë, në një telajo të vogël, gjithçka: lumenj, male, kodra, dy dete dhe pastaj liqene nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, pastaj vende të tjera në brendësi që janë mbresëlënëse. Ka kaq shumë për të bërë në Shqipëri, që, në disa aspekte, është pak si Italia e gjyshërve tuaj, me mangësitë, po edhe të mirat. Më vjen mirë që përshtypja e parë ka qenë…

Tonino Lamborghini: Më se pozitive.

Kryeministri Edi Rama: Iu them gjithnjë miqve dhe atyre që takoj jashtë se Shqipëria është një vend ku “nuk duhet të vijnë kurrë, sepse është një vend i rrezikshëm, vend i zymtë, vend i korruptuar, vend i varfër”…

Tonino Lamborghini: Po nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë.

Kryeministri Edi Rama: Po, po, por kjo është stigma që ekzistonte.

Tonino Lamborghini: Po, për fat të keq.

Kryeministri Edi Rama: Iu them, nuk duhet të vini, se nuk i dihet ç’ju ndodh, por, po erdhët, do kërkoni gjithnjë të ktheheni.

Tonino Lamborghini: Nuk e mohoj që, nëse kjo gjë bëhet, duhet të kem se s’bën një apartament për vete dhe për fëmijët, patjetër. Unë nuk jam më shumë i ri, por vazhdoj të udhëtoj shumë e, pastaj, kam shumë fëmijë. Pse të mos i njoh me një tokë që është ende për t’u eksploruar? Është e shëmtuar ta thuash kështu “ende për t’u eksploruar”, po për hir të Zotit…

Kryeministri Edi Rama: Nuk është as vendi, as momenti për të folur këtu për këtë, por them që, përtej investimeve në këto drejtime, përtej, sigurisht, apartamentit – se do vijnë pastaj fëmijët e nipërit, kështu që duhet një apartament në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama: Se është moda, moda e re që duhet ndjekur, po them që duhet menduar edhe për një hapësirë muze për gjithë këtë histori. Natyrisht, Shqipëria nuk është Italia dhe është shumë paradoksale që të gjesh edhe në Shqipëri një hapësirë muze të historisë së familjes Lamborghini, por besoj që, në fund të fundit, ka një lidhje, sepse është siç thatë ju, një emër që lind me një fisnikëri të ndërtuar me djersë, gjak, sakrifica që vjen prej tokës, ashtu si edhe Shqipëria. Është pak si një simbol frymëzues për vendin tonë.

Tonino Lamborghini: E vërtetë, shumë e vërtetë. Në qytetin tim, kam një muze të madh.

Tonino Lamborghini: Ah, e dini?

Tonino Lamborghini: Paskeni bërë kërkime, bravo. Kryeministri juaj, më bën me dije, me shumë kënaqësi, që ka bërë kërkime. Më besoni – dhe këtë ua them dëgjuesve – nuk ndodh kështu gjithmonë. E kam gjetur veten kaq herë në situata ku bashkëbiseduesi im ishte pak dobët me informacionin. Urime, urime.

Kryeministri Edi Rama: Jo, para së gjithash, e kam ndjekur këtë histori ashtu si shumë histori të ekselencës italiane, jo vetëm të artit, jo vetëm të modës, por edhe të suksesit dhe, nga ana tjetër, ndoshta, me kalimin e viteve, kam mësuar dhe nuk e harroj kurrë se të pranosh që nuk di, është e vetmja mënyrë për të mësuar më shumë. Nuk mësojmë dot më shumë, nëse nuk jemi të aftë të kuptojmë, së pari, që këtë gjë nuk e dimë.

Tonino Lamborghini: Cilët janë kufijtë tanë.

Kryeministri Edi Rama: Atëherë, lexo! Lexo, mëso!

Tonino Lamborghini: Sigurisht. Po ju thoja që këtë muze të madh, gjithë historikun e familjes Lamborghini, që nga dita e parë e deri ditët tona, kam për qëllim – duke qenë se është e pamundur ta transportosh gjithë sa përmbajnë 9 000 metra muze – ta bëj me sistem holografik. Pra, një hapësirë e madhe që shndërrohet në hapësirë për përdorim– nuk po më vjen fjala – kolektiv dhe, përmes sistemit holografik, sheh dhe hyn te vetë objekti. Nuk është diçka e lehtë. E propozova edhe në AbuDhabi, Emirit dhe po e mendojmë, ai po e mendon, sepse nuk është e lehtë. Sistemi holografik është i lehtë për t’u parë, po për t’u ndërtuar nuk është kaq e lehtë, sidomos, në përmasa të mëdha. Herën e parë që pashë diçka të tillë, isha në Australi dhe pashë muzeun e Vietnamit. Mbeta pa mend, edhe pse në ato vite kisha studiuar Luftën e Vietnamit, në moshën time. Thashë, ah sikur një ditë të mund të bënim të njëjtën gjë, që dikush të hyjë dhe të ulet brenda një automjeti që nuk është. Do të ishte bukur. Është diçka shumë komplekse. Nëse një ditë do të kemi ca para më shumë për të investuar, ku i dihet.

Kryeministri Edi Rama: Edhe po të mos kemi ca para më shumë, do të kemi idenë e duhur, që pastaj do sjellë edhe para.

Tonino Lamborghini: Të paktën kjo, pastaj do shohim.

Kryeministri Edi Rama: Falemnderit.

Tonino Lamborghini: Falemnderit ty.

Kryeministri Edi Rama: Në mbyllje, më duhet t’ju rrëfej…

Tonino Lamborghini: Thamë pra që do t’i drejtohemi njëri-tjetrit me “ti”.

Kryeministri Edi Rama: Herës tjetër.

Tonino Lamborghini: Në rregull, herës tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Më duhet t’ju rrëfej që në historinë e familjes sime ka një paradoks. Unë nuk di t’i jap makinës dhe as nuk dua të mësoj, por jam nipi i një gjyshi, i cili jetonte për makinat, që, kur i ati e dërgoi të studionte në Itali, mori çdo gjë që kishte, shkoi edhe në bankë e mori një kredi të themi të konsiderueshme dhe bleu një Alfa Romeo. U kthye në Shqipëri me Alfa Romeon e tij dhe ishte i pari individ privat në Durrës që kishte një makinë, që ishte diçka e jashtëzakonshme, i cili, falë makinës së tij që ishte shumë e bukur, u bë fillimisht shoferi i kryetarit të bashkisë, i cili kishte makinë, po shumë më pak të bukur dhe pastaj u bë shoferi i mbretit, i cili kishte një makinë, por ishte më pak e bukur. Kështu, në një farë mënyre, mendoj se gjyshi im, që me siguri na sheh nga lart, do jetë shumë i kënaqur që nipi i tij, i cili nuk ka asnjë interes për makinat zhvilloi një bisedë me djalin e të madhit Ferruccio Lamborghini dhe që, herës tjetër, do t’i flasë me “ti” Tonino Lamborghini-t. Falemnderit.

Tonino Lamborghini: Faleminderit, faleminderit shumë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu