Sekretari amerikan reagon për tërmetin që mori 42 jetë në Durrës: Jemi pranë jush

‘Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave.’

Kështu e nis shkrimin Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku fokusin ia lë tërmetit tragjik që ka marrë jetë njerëzish dhe ka lënë qindra të tjerë të plagosur e pa strehë.

‘Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri. Prej rënies së komunizmit tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet gjithnjë e më të fortë. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi’, vijon deklarata e sekretarit amerikan.

Ai shtoi se i vlerëson përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur.

Ndër të tjera, Pompeo theksoi se vlerëson kontributet e Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpret udhëheqjen e saj si Presidente e OSBE-së për vitin 2020.

‘Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi’, përfundon shkrimi i Sekretarit i publikuar në Facebook nga ambasada amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu