Pas Florent Hadërgjonajt, ekipit kombëtar të Kosovës mund t’i bashkohet së shpejti edhe Arton Zekaj, pasi që shtëpia e futbollist botëror, FIFA i ka shkruar Serbisë për t’ia lejuar futbollistit ta ndërrojë Kombëtaren.
19-vjeçari Arton Zekaj ka prejardhje nga Kosova, mirëpo pasi që kishte lindur në Beograd, ai fillimisht e kishte përfaqësuar Serbinë me grupmoshat. Zekaj i bëri 11 paraqitje për ekipin U-17 të Serbisë, mirëpo nuk luajti asnjëherë për ekipin e parë, transmeton Gazeta Express.
Serbia nuk e kishte lejuar deri më tani Zekajn ta ndërrojë ekipin kombëtar, mirëpo menaxheri i Kombëtares U-21 të Kosovës, Zgjim Sojeva, ka bërë të ditur se Serbia ka kohë vetëm deri në fund të javës për ta dhënë fletëlëshimin.
“Ne i kemi shkruar tri herë Federatës Serbe për të na dhënë pëlqimin për lojtarin, pasi kjo është obligative për ta ndërruar ekipin kombëtar. Por, nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Prandaj, i kemi shkruar FIFA-s, e cila i ka dhënë afat prej 5 ditësh Serbisë. Deri në fundjavë besojmë se do të rregullohet gjithçka”, deklaroi Sojeva për Express.
Zekaj luan në pozitën e mesfushorit dhe preferon të luajë si mesfushor defansiv.
Ai luan për klubin francez, Lille, të cilit iu bashkua më 4 korrik të vitit 2018. Deri më tani ai e ka bërë vetëm një paraqitje, ndërsa që nga 1 qershori i vitit 2018 s’ka qenë as i përfshirë në skuadrat e ndeshjeve, për shkak të një lëndimi.
Përkundër që ky lëndim e ka mbajtur atë jashtë fushës së blertë deri më tani, ai pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e qershorit të ekipit kombëtar U-21 të Kosovës, kundër Andorrës dhe Turqisë.










