Serbia nuk është më në vendet kryesore që dominon për nga importi i mallrave në Kosovë.
Në dy vitet e fundit importi nga Serbia ka rënë me 70 për qind. Ndërsa, ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind.
Në muajin që lamë pas është bërë një vit që kur Kosova ka vendosur masën e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe. Nga atëherë e deri ma tani, vërehet se Serbia ka filluar ta humbë tregun e Kosovës.
Bazuar në të dhënat e Doganës del se ka rënie të dukshme të mallrave të importuara nga Serbia. Në periudhën janar-maj janë importuar mallra në vlerë prej 42.3 milionë eurosh. Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 74.99 milionë euro.
Bazuar në këto të dhëna del se gjatë periudhës 5-mujore janë importuar sasi mallrash nga Serbia 115 mijë e 234 tonë. Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 183 mijë e 755 tonë mallra “Made in Serbia”.
Sipas të dhënave shteti serb nuk është më në pesë vendet që dominon për nga importi i mallrave. Turqia prin si vendi me importin më të madh, e ndjekur nga Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria.
Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu në një deklarimi për media ditë më parë ka thënë se pas vendosjes së masave të sigurisë nga Qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./Monitor