Shaip Kamberi jep alarmin: Vuçiç po mobilizon forcat nacionaliste! Thirrja ime për Shqipërinë dhe Kosovën

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e konsideroi disa ditë më parë “Open Balkan” si një nismë të gabuar. Sipas tij, presidenti Vuçiç luan me dy standarde, sepse kërkon të realizojë Serbinë e Madhe.

Në një lidhje direkte për emisionin “Zona Zero” në Top News, Kamberi tha se Vuçiç po vazhdon të ashpërsojë retorikën ndaj shqiptarëve, ndërsa Serbia vazhdon të ketë aspirata territoriale.

“Presidenti Vuçiç po kthehet në origjinë. Tashmë ai e ka ashpërsuar gjuhën ndaj shqiptarëve dhe rajonit. Serbia po shpreh hapur aspirate territoriale që mund të ndikojë drejtpërdrejtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Vuçiç po tenton të mobilizojë forcat nacionalistë në Serbi, sidomos tani në prag të zgjedhjeve. Ai ka shpreh hapur ambicien për bashkimin e serbëve në një shtet. Kriza në Ballkan është edhe si pasojë e mungesës së homogjenitetit në BE”, tha Kamberi.

Deputeti shqiptar në Serbi kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të marrin masa dhe të hartojnë politika që u vinë në ndihmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Çdo ditë e më tepër situata po rëndon. Kemi shpopullim. Njerëzit po largohen, kryesisht të rinjtë. Shqipëria dhe Kosova, qoftë bashkë, qoftë ndaras, duhet të bëjnë një plan për të ndihmuar Luginën e Preshevës”, tha Kamberi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu