Shala: Taksa do vazhdojë, ja kur do të hiqet (VIDEO)

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në një intervistë për emisionin “Ekonomi” në Telegrafi.com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për punën e ministrisë që e drejton, taksën për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, raportet Shqipëri-Kosovë, cilësinë e naftës e lodrat e dëmshme për fëmijët.

Shala ka thënë se taksa për produktet e importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk duhet të largohet për shkak të pengesave që i ka bërë Serbia Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Taksa sipas tij, e ka rritur punësimin dhe ka fuqizuar prodhuesit vendorë.

“Ka këshilla dhe kërkesa nga partnerët dhe miqtë e Kosovës që kjo taksë të hiqet, të suspendohet. I kam specifikuar arsyetimet se ne si Qeveri e Kosovës kemi qenë të detyruar ta marrim një vendim të tillë. Vendimi për këtë taksë vazhdon të mbetet në fuqi, derisa të eliminohen arsyet të cilat si Qeveri e Kosovës na kanë shtyrë ta marrim një vendim të tillë”, tha Shala.

Sipas tij, taksa është si rezultat i pengesave të vazhdueshme nga këto dy shtete fqinje.

“Kur të eliminohen arsyet që na kanë shtyrë ta marrim një vendim të tillë. Ju e dini që Serbia dhe Bosnja e Hercegovina përpos barrierave të tjera, kanë tentuar dhe tentojnë çdo ditë ta bëjnë edhe vet qenien e Kosovës dhe derisa kjo qasje është, unë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë, asnjëherë nuk do të propozoj që të hiqet një masë e tillë në raport me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën”, tha ministri Endrit Shala.

Ai ka treguar se taksa prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe ka sjellë efekte pozitive te prodhuesit vendor.

“Përpos arsyeve neve si Qeveri e Kosovës që na ka shtyrë ta marrim një masë të tillë, kjo ka pasur efektet të jashtëzakonshëm edhe të prodhuesit vendor, ekonomia e jonë vendore, të rritja e vendeve të punës dhe vetëm duke i parë këto arsye, apo efektet e kësaj mase, unë besoj se të gjithë partnerët e koalicionit do të janë për vazhdimin e kësaj mase, duke e potencuar se një masë e tillë duhet të vazhdoj”, tregoi Shala.

Taksa sipas tij, ka vetëdijesuar konsumatorët për konsumimin e produkteve vendore.

Po ashtu ministri Shala ka folur edhe për Udhëzimin Administrativ që i obligon të gjitha shtet që Kosovës t’i referohen si shtet.

“Jam informuar që në Kosovë futen produkte që Kosovës i referohen si ‘Kosova i Metohija’, ose emrat e qyteteve dhe asnjëherë produktet që janë prodhuar atje nuk janë referuar si shtet, sipas emrit të saj kushtetues. Urdhëresa ime ka pasur të bëjë që Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën nuk ka lejuar të mos futet asnjë mall që në deklaracion, nuk i referohet Kosovës me emrin e saj kushtetues. Kjo do të vazhdoj dhe askush nuk ka fuqi ta largoj”, ka deklaruar ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala.

Po ashtu ai ka folur edhe për raportet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, cilësinë e naftës, vendosjen e flamujve në çmimet e produkteve sipas origjinës, për vajin e palmës dhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Kosova ka vendosur taksë 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia e Bosnja e Hercegovina më 21 nëntor të vitit 2018. /Telegrafi/

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu