SHBA-ja dënon gjuhën e Erdoganit për Izraelin

Shtetet e Bashkuara i dënuan komentet “antisemitike” të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për popullin hebre. Tensionet midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës kanë arritur nivelin më të lartë qysh në vitin 2014.

Në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se “gjuha antisemitike nuk ka vend askund”.

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara për të luftuar antisemitizmin në të gjitha format e tij”, tha Departamenti amerikan i Shtetit, duke i bërë thirrje Turqisë që t’i bashkohet SHBA-së në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Erdogan, për kohë të gjatë, ka shprehur mbështetje për palestinezët, edhe pse Turqia është ndër vendet e pakta me shumicë myslimane që ka marrëdhënie afatgjata me Izraelin.

Dënimi nga SHBA-ja erdhi pasi Erdogan e akuzoi Izraelin për “terrorizëm” kundër palestinezëve, duke thënë se kjo “është në natyrën e tij”.

Ata janë vrasës deri në atë pikë që vrasin fëmijë 5 ose 6 vjeç. Ata kënaqen vetëm duke thithur gjakun e tyre”, tha Erdogan. Më herët, Erdogan tha se edhe presidenti amerikan, Joe Biden, “ka duar të përgjakshme”, për shkak të mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur qëkur Izraeli, më 10 maj, ka filluar një fushatë ajrore në Gaza, pasi militantët e Hamasit, që kontrollojnë territorin, kanë hedhur raketa në drejtim të Izraelit. Dhuna ka pasuar disa ditë trazira rreth kompleksit të Xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin Lindor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu