SHBA: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i takon qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar thirrjeve të Bashkimi Evropian që të dyja palët të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Më herët zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu