Ishte paraparë që më 1 tetor të lëshohet në përdorim, por ditët po rrjedhin dhe Shkolla Fillore në Vizbeg të Shkupit ende nuk është në shfrytëzim nga nxënësit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në “10 Minuta” në TV21 akuzoi kryetarin e Butelit, Darko Kostovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së se po bën politikë me hapjen e shkollës.
“Për mua shumë ishte deklaratë politike me retorikë politike kur kryetari i komunës u mundua që të krahasojë diçka tjetër që ka ndodhur në vendin tonë me shkollën e Vizbegut, krahasonte se nuk donte të ndodhte rast tragjedie për arsye të mungesës së rrymës duke ditur faktin se..”, tha Jeton Shaqiri, ministër MASH.
-Spitalin modular të Tetovës?
“Po e ka krahasuar me atë, që unë nuk doja ta përmendja, por duket që është një retorikë politike nga ana e kryetarit të komunës së Butelit”, theksoi Shaqiri.
Por Kryetari i komunës së Butelit për TV21 tha se këtu nuk ka bëjë me politikë, për shkak se problemi është teknik. Sipas tij mbikëqyrësit kanë konstatuar se aty duhet të instalohet trafostacion adekuat i rrymës me qëllim që mos të rrezikohen fëmijët.
“Nëse është politikë kjo që po flas se nuk ka pranim teknik në shkollë dhe dikush dëshiron ta lëshojë në përdorim pa pranim teknik, praktikisht pa rrymë të kontrolluar, atëherë nuk di çfarë të them”, tha Darko Kostovski – kryetar i Butelit.
Shaqiri gjithashtu e akuzoi Kostovskin për mos asfaltimin e rrugës së shkollës. Kostovski tha se edhe kjo do të kryhet deri në fund të vitit.
“Projekti na arrti para disa ditëve deri në fund të vitit ajo rrugë do të asfaltohet”, pohoi Darko Kostovski – kryetar i Butelit.
E sa i përket emërimit të drejtorit në këtë shkollë, Kostovski tha se është ende herët të flitet por tha se drejtori do të jetë nga komuniteti shqiptar.
“Ende nuk kemi vendim konkret se kush do të jetë atje drejtor kami shumë profesor cilësor, atë që mund ta zbulojë tani është se do të jetë shqiptar, për shkak se bëhet fjalë për vend me shumicë shqiptare”, pohoi Darko Kostovski – kryetar i Butelit.
Ndryshe Kostovski njoftoi se nesër do të zhvillojë takim me ministrin Jeton Shaqiri dhe përfaqësues të EVN-së për të gjetur zgjidhje në lidhje me instalimin e rrymës.