Banorët e fshatit Stajkovcë të rrethit të Shkupit, në grupin në rrjetin social “Facaebook” me emrin “Ndihmë humanitare për të prekurit nga vërshimet”, kërkojnë ndihmë, njofton Portalb.
Qytetarët thonë se kanë nevojë për vullnetarë të cilët do t’u ndihmojnë që t’ pastrojnë oborret dhe garazhet e tyre.
Sipas asaj që është shkruar, plotësisht është vërshuar rruga 6, e cila ndodhet në fund të fshatit, gjegjësisht në afërsi të Qarkores së Shkupit.
“Oborri i shtëpisë sime është vërshuar edhe bodrumet kanë filluar të mbushen me ujë. Përndryshe rruga 6, e cila është në afërsi të qarkores përsëri është përmbytur, ndërkaq njerëzit janë në panik. Bodrumet dhe garazhet u mbushen me ujë, ndërkaq të gjithë frikësohen që të mos u hyjë uji nëpër shtëpi. Kërkojmë ndihmë prej vullnetarëve”, ka shkruar në Marjan Alek Stevnovski.
Nga ana tjetër, nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se në telefonat e tyre askush nuk ka lajmëruar se ka vërshime dhe se i duhet ndihmë.
Zëvendësministri plotësues nga radhët e LSDM-së, Lupço Nikollovski, mbrëmë ka qenë në Stajkovcë, ku përsëri shiu bëri probleme.
“Pas alarmimit të qytetarëve, dje kemi shkuar në vendin më kritik të Qarkores në Stajkovcë. Kanali për ujë atmosferik është i bllokuar dhe nuk është në funksion. Është bërë dëm në dy rrugë të Qarkores. Apelojmë deri te institucionet që të reagojnë shpejtë sepse siguria e vozitësve dhe banorëve të Stajkovcit përsëri është nën kërcënim”, ka shkruar Nikollovski në profilin e tij në Facebook.
Disa prej banorëve shprehen se për shkak se shtëpitë e tyre nuk janë të përshtatshme për të jetuar, disa jetojnë nëpër konvikte, ndërkaq të tjerët nëpër familjarët e tyre.
Ata gjithashtu ankohen se shteti nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për ta përmirësuar gjendjen e kanalizimit që paraqet rrezik për vërshime të serishme, ndërsa problem është edhe mosrregullimi i rrugëve, ku pas çdo shiu ato bëhen të pakalueshme.
Përndryshe, si pasojë e vërshimeve të 6 gushtit në rrethin e Shkupit, 22 persona humbën jetën, ndërkaq një foshnje 16 muajshe, ende nuk është gjetur. /infoshqip.com