Zv/kryeministri i parë Artan Grubi pranon se ka një nismë nga Franca për arritjen e një marrëveshje të shpejtë mes Shkupit dhe Sofjes me qëllim të fillimit të shpejtë të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Bullgaria tashmë vlerëson përgjigjet që ka marrë nga Qeveria në Shkup.
“Ne i kemi dorëzuar tashmë përgjigjet ndaj të gjitha çështjeve që i ka ngritur Bullgaria, në formën më konstruktive të mundshme, dhe presim që autoritetet e reja, presidenti Radev, Qeveria e re, t’i qaset dialogut mbi këto çështje në mënyrë konstruktive dhe të arrijmë një ujdi e cila do të na e hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Po, është e vërtetë se ka edhe iniciativë franceze për t’u ulur në tavolinë dhe për t’i tejkaluar të gjitha dallimet në mënyrë që në fillim të vitit 2022 të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare”, deklaroi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.
Edhe pse nuk in detajet, edhe partneri i ri i koalicionit qeveritar, Alternativa, pranon se ka lëvizje në këtë drejtim.
“Besoj se e gjithë kjo do të ishte në agjendën e asaj që jemi zotuar edhe ne se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian. Çdo lloj nisme do ta përkrahim, do ta përshëndesim, gjithmonë në favor të rrugëtimit tonë drejt BE-së”, u shpreh Skender Rexhepi, Alternativa.
VMRO-DPMNE-ja nuk ka informacione për firmosjen e një marrëveshje të mundshme në Paris, megjithatë, thotë se Zaev i gatshëm për çfarëdo kompromisi në dëm të interesave të vendit.
“Ne si VMRO-DPMNE paralajmërojmë Zoran Zaevin të mos ndërmarrë hapa në kundërshtim me rezolutën të cilën e miratuam bashkërisht me të gjithë aktorët politik në parlament nga të gjithë aktorët politik dhe në kundërshtim me mbrojtjen e interesave kombëtare të Maqedonisë. Është e qartë se Bullgaria nuk do të heqë dorë nga dy rezolutat dhe dokumentet e miratuara unanimisht nga parlamenti i saj e që absolutisht janë në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase”, tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Edhe opozita shqiptare kujton pushtetin për ekzistencën e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi sa i takon kontestit me Bullgarinë.
“Jo nuk jemi të informuar sepse është evidente që biseda të tilla bëhen larg syve të opinionit. Atë që dimë ne është se Kuvendi ka miratuar një rezolutë, të propozuar nga një parti politike në Kuvend, e mbështetur nga shumica e deputetëve ose të gjithë grupet parlamentare dhe do të duhet të ishte një bazament për negociatat me Bullgarinë”, u shpreh Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.
Franca merr presidencën e Bashkimit Evropian që nga janari i vitit 2022. Ndërkohë Bullgaria një ditë më parë konfirmoi veton për Maqedoninë e Veriut; nuk ka fillim të negociatave të anëtarësimit deri sa nuk pranohen kushtet bullgare.









