Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pritet që shumë shpejt të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion para të hënës, ditë kjo ku pritet të votohet Qeveria Kurti.
Zëdhënësi për media, Arlind Manxhuka përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se publiku do të njoftohet sapo anëtarësia të ketë marrëveshje.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të njoftojë publikun dhe anëtarësinë sapo të ketë marrëveshje!”, ka shkruar Manxhuka.
Tutje zëdhënësi i VV-së ka thënë se konsultimet dhe takimet në këto orë të fundit janë shtaur.
“Kur kanë mbetur vetëm edhe 40 orë deri te seanca e Kuvendit të Kosovës për qeverinë Kurti, sigurisht se kemi inflacion hamendësimesh e spekulimesh. Komunikimi, konsultimet dhe takimet midis LVV dhe LDK janë intensifikuar në këto orë të fundit”, ka shkruar Manxhuka.
Glauk Konjufca është bërë “kurban” i koalicionit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka dhënë sot dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka vendosur të heq dorë nga egoja për të mirë të vendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re, shkruan Gazeta Insajderi.
Këtë vendim, Konjufca ia ka kumtuar liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe strukturave të partisë derisa dorëheqjen pritet ta bëjë publike sonte ose nesër, mëson Insajderi. /Insajderi.com










