Shpëtim Duro “mbush” 500 ndeshje, trajneri i njohur shqiptar feston “jubileun” në ndeshjen Struga-Voska

Në stadiumin e qytetit ishte një rast i veçantë. Shpëtim Duro, trajneri i Strugës, do të festonte një arritje jubilare në karrierën e tij të gjatë, dhe klubi e bëri siç duhet. Pas ndeshjes së fituar 3-1 ndaj Voska, teknikut nga Shqipëria iu dhurua një fanellë e skuadrës, me numrin 500 në shpinë, aq sa ndeshje ai ka në stol.

Fanella ishte vendosur në kornizë, dhe Duro mund ta varë në mur për ta kujtuar për gjithë jetën. Natyrisht, ka arsye për të kremtuar, dhe jo vetëm sepse ish-lojtari i Partizanit ka suksese sportive, por edhe sepse Struga është kampione e Maqedonisë së Veriut, dhe sërish është në krye të Ligës së Parë pas 25 javëve.

Këtë të diel luhet ndeshja ndaj Vardarit në Shkup, ndërsa deri në fund mbeten edhe 8 javë, dhe ekipi i qytetit në brigjet e Liqenit të Ohrit ka 54 pikë ndaj 51 të Shkupit. E qartë që në Maqedoninë e Veriut dominojnë ekipet me shqiptarë, ndërsa në vend të tretë është Shkëndija e Tetovës.

Shpëtim Duro e nisi karrierën si trajner në 1999 dhe ka drejtuar deri tani 14 skuadra, disa prej të cilave më shumë se një herë. Ai ka qenë në stolin e Partizanit, Dinamos, Vllaznisë, Flamurtarit, Kukësit, Skënderbeut, Laçit, Egnatias, Shkëndisë së Tetovës si edhe ka drejtuar Shqipërinë U17 e U19.

Ndërkaq, duhet kujtuar se Duro ka fituar tituj kampion në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka kaluar ture në kupat e Europës, siç ndodhi me Laçin kur arriti dy kualifikime në një sezon, pak vite më parë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu