Shqetësimi i mërgimtarit: Çka po ndodh, po “ftohen” raportet familjare edhe në vendlindje

Para gati 35 vjetëve kur ika në Zvicër lash nënën, babën (që nuk i kam më), lash vëllezërit me të cilët u rrita me të gjitha të mirat e të këqijat e asaj kohe, lash motrat, lash fqinjët, shokët, lash vendlindjen sepse asnjëherë për ne shqiptarët në trojet tona autoktone të kolonizuara nga sllavët nuk ka pasur perspektivë!

Në atë kohë rrallë kush kishte telefon në shtëpi, familjarët shkonin në postë prisnin në radhë për të biseduar me ne që ishim jashtë, ose do e pengonim ndonjë fqinjë që ka telefon të thërret ndonjë prind për të biseduar, zakonisht nënën!

Rruga ishe e largët kur vinim në vendlindje sepse i hipnim trenit Paris – Athinë, i cili kalonte nëpër Zvicër (Brig), kalonte në Itali (Milano, Venedik, Trieste) për t’u ndal në kufirin ish jugosllav Sezhanë për kontroll, merrte bukur kohë kontrolli në doganë sepse futeshim në një shtet komunist!

Dhe kështu treni vazhdonte rrugën e tij Lubjanë, Zagreb, Beograd, Shkup! Vlen të ceket se kur futej treni në ish jugosllavi hekurudha e vjetër t’i trondiste trutë, vagonët e vjetër jugosllav të papastër, në sezonin e pushimeve bile kishte aq shumë udhëtarë sa që as vend në korridor nuk kishte!

Atëherë pra ishte tepër rëndë, të merrte malli t’ua dëgjosh zërin familjarëve!

Sot i kemi telefonat në dorë ngado që sillemi, por as familjarëve as neve nuk na shkon mendja t’ia dëgjojmë zërin njëri tjetrit! Nuk e di arsyen pse, por e shoh se ajo dashuri që kishim atëherë nuk është më! E dhimbshme!

Alsenar Ramadani *Autori është sekretar i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoni – LDSHM


1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu