Shqiptarët në Maqedoni, mes partneritetit dhe vasalitetit

Nga: Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni, në çdo formë dhe me çdo mjet duhet ta ruajnë, mbrojnë dhe forcojnë identitetin e tyre kombëtar, përballë ndikimeve të fuqishme nga jashtë, të pëkrahura dhe përhapura nga brenda përmes grupimeve politike dhe fetare në shërbim të këtyre politikave antikombëtare.

Partneriteti dhe vasaliteti janë dy gjëra të ndryshme, sidomos në politikë dhe qeverisje, por këtë dallim nuk e kanë bërë asnjëherë drejtuesit e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, duke e përkthyer çështjen e partneritetit (të imponuar nga rrethanat) në interes të poltikës ditore, interes partiak, personal dhe grupor, duke e dëmtuar gjithmonë interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar në këtë shtet. Deri më sot, asnjë parti politike e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka bërë publike ndonjë marrëveshje me shkrim për pjesëmarrje në qeveri, me kushtet dhe afatet e caktuara për realizimin e të drejtave kolektive dhe barazisë së plotë të popullit shqiptar në këtë shtet. Logjikës së drejtuesve të këtyre partive politike në stilin “siç duam, bëjmë”, qytetarët shqiptarë kanë filluar t’i përgjigjen në mënyrë adekuate: “bëni çfarë të doni, por pa ne!”

Përmes shumave të mëdha të parave që derdhin shërbimet e huaja sekrete ndër grupime politike dhe fetare të shqiptarëve në Maqedoni, dhe jo vetëm, për shtrirjen e ndikimit të tyre në këto hapësira, ato përpiqen t’i ndryshojnë rrjedhat normale të historisë, të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. A kanë shqiptarët strategji për t’iu kundërvënë kësaj politike shkombëtarizimi nga ndikimet e huaja, këtë përgjigje duhet ta japin vetë shqiptarët, sa më parë dhe me veprime konkrete, sidomos klasa intelektuale dhe politikanët e përgjegjshëm, të gjithë ata që kanë vetëdije kombëtare të palëkundur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu