Prokuroria Publike ka hapur procedurë hetimore kundër S.Memeti, këshilltar i kryetarit të komunës së Shutkës në Shkup, për kryerjen e veprës penale mitmarrje (pranim të shpërblimit për veprime kundërligjore).
“I dyshuari si i punësuar në komunën e Shutkës më 27 janar në ambientet e komunës ka pranuar shpërblimin në vlerë prej 1 mijë eurove. Ai këto para i ka marrë për ndërmjetësim dhe kryerjen e veprimeve zyrtare që nuk duheshin të kryheshin për legalizim të një objekti illegal”, thekson Prokuroria.
Lidhur me këtë prokurori ka kërkuar masë paraburgimi dhe se ndaj tij është shqiptuar 30 ditë paraburgim. S.Memeti është funksionari i parë i pushtetit aktual që i shqiptohet paraburgimi. (INA)










