Shtatë lojtarët që pritet t’i largojë Interi në verë

Me përfundimin e sezonit, Interi ka nisur menjëherë punën për sezonin e ardhshëm.“Do të rikthehemi më të fortë”, premtonte Simone Inzaghi pas ndeshjes së fundit dhe zikaltrit kanë nisur projeksionet. Por ndërkohë që pritet të ndërhyhet në merkato, ka ardhur koha që një pjesë e konsiderueshme e organikës të lërë Milanon.

Politikat e klubit për të reduktuar pagesat e lojtarëve me 15 për qind kanë ndikuar jo pak në manovrat që Interi do të bëjë gjatë kësaj vere, atëherë kur shtatë lojtarë pritet të lënë Nerazzurët, lëvizje që do të prekin të gjitha repartet.

Duke nisur nga porta, Radu do të lërë skuadrën në kërkim të më shumë minutave, për më tepër që klima tek Interi pas atij gabimi me Bolognan nuk është optimalja për të.

Në mbrojtje do të jenë Andrea Ranocchia dhe Aleksandar Kolarov emrat që do të largohen, me serbin që në moshën 36- vjeçare po mendon të varë këpucët në gozhdë.

Dy të larguar do të ketë edhe në mesfushë, aty ku Matias Vecino dhe Arturo Vidal duket se e kanë zgjedhur tashmë të ardhmen e tyre. Uruguaiani në skadencë kontrate pëlqehet nga Lacio e Sarrit, ndërkohë që kiliani edhe pse ka edhe një vit kontratë, mund të shfrytëzojë klauzolën për ta ndërprerë një vit më herë dhe për t’iu bashkuar Flamengos në Brazil.

Eksodi do të prekë edhe repartin ofensiv, aty ku Alexis Sanchez dhe Felipe Caisedo nuk do të jenë më në urdhrat e Inzagit. Kiliani ka të njëjtën situatë kontraktuale si bashkëkombësi i tij, por e ardhmja e tij mund të jetë në Spanjë ku shumë klube janë vendosur në ndjekje të tij.

Ndërkohë, kolumbiani i huazuar nga Genoa, që ka luajtur vetëm 8 minuta në total, do ta ndërpresë aventurën e tij zikaltër.

Me lamtumirën e Sanchezit dhe Vidalit, që momentalisht janë dy më të paguarit e skuadrës, bashkë me 5 lojtarët e tjerë, Interi do të kursejë rreth 35 milionë eurosh bruto që për një klub që në total paguan 150 milionë euro për pagat, vlen 23% të tyre, duke kontribuar kështu në përmbushjen e planeve financiare të klubit. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu