Dje Shukri Xhelili, ish-kryetari i Bashkisë Dibër, ka pasur seancën e parë gjyqësore, që do të thotë që prokuroria duhej t’i lexonte në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkesën për gjykim.
I vënë nën akuzën e korrupsionit pasiv, Shukri Xhelili, i cili mbahet nën arrest me burg, ka refuzuar të paraqitet në sallë, duke kërkuar përfaqësimin e tij nga avokati mbrojtës. Mbrojtjen e tij ligjore në sallë nuk e ka bërë askush. Apelit të palëve në procesin e parë gjyqësor ndaj një kryetari bashkie nuk i është përgjigjur as avokati mbrojtës. Genc Gjokutaj ka munguar në sallë. I kontaktuar në telefon nga Blitz.al, Gjokutaj ka deklaruar se arsyet ishin shëndetësore.
Pas betejës ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ku Shukri Xhelili kërkoi rrëzimin e akuzave dhe rikthimin në detyrë, kjo në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të jetë decizive për të.
I vënë në qendër të një skandali seksual, pas publikimit të videos në një media private, ku ai i kërkonte një vajze seks në këmbim të vendit të punës, Shukri Xhelili humbi postin e zyrtarit të lartë si dhe u vu në arrest.
Por askush nuk i di arsyet se përse Shukri Xhelili vendosi të ndërrojë strategji në mbrojtje të akuzave.
Pas skandalit, ai u përfaqësua në mbrojtje nga avokati Ferdinand Ndoja, i cili dha dorëheqjen shumë shpejt.
Shkak për këtë dorëheqje u bë kërkesa e klientit të tij, i cili kërkonte garanci për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në atë të detyrimit me paraqitje, vetëm me anë të një raporti mjeko-ligjor, që vërtetonte gjendjen e tij të rëndë shëndetësore.
Ky pretendim i Shukri Xhelilit duhej të provohej si i tillë dhe për këtë ai kishte ofruar para.
Por avokati Ndoja dha dorëheqjen nga mbrojtja dhe vendin e tij e zuri avokati me shumë eksperiencë në fushën penale, Genc Gjokutaj.
Dhe pavarësisht kësaj, Shukri Xhelili vijon të mbetet në qeli, nën arrest. Mungesa e tij në sallë i ka sjellë një pasojë edhe më të rëndë, pasi deri më datën 17 nëntor asnjë ditë burg i bërë nuk do t’i llogaritet./Blitz