Ka mbërritur në Shqipëri, në orën 03:15 grupi i parë me afganë. 121 qytetarët afganë u pritën në qendrën e pritjes së përkohshme, ngritur në zonën ushtarake.
Qendra e pritjes së përkohshme është inspektuar nga Ministrja Xhaçka por edhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Fillimisht afganët do të qëndrojnë në tendat e posaçme pranë aeroportit ushtarak, ku atyre do iu ofrua dhe asistenca e parë mjekësore.
“Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë”, deklaroi nga aeroporti ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama shprehet se ky gjest mikpritje na kujton kush ishim dikur e sipas tij na bën nder si vend e si popull. Rama kujton edhe një fjalë të urtë të të parëve tanë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Reagimi i plotë i Ramës:
“MIRËMËNGJES PA U GDHIRË dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën.”
Qytetarët afganë, pas procedurave do i drejtohen një strukture hotelier në Durrës ku ata do të qëndrojnë.
“Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës. Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”, shpjegoi Xhaçka.









