Si dhe pse e rrethuan “Alfat” maqedonas Ambasadën amerikane në Shkup?

Më 15 shtator, vetëm disa orë pasi PSP lajmëroi se i ka paraqitur dy akuzat e para, u ndez sirena në ambasadën e SHBA-së dhe disa herë u përsërit paralajmërimi “Kjo nuk është stërvitje”, shkruan Prizma. Arsyeja e sirenave ishte prania e njëzet personave të njësisë policore speciale “Alfa” në afërsi të Ambasadës, që çoi në aktivizimin e protokolleve të sigurisë amerikane dhe udhëzimeve për punonjësit që të largohen nga dritaret dhe të strehohen.
E gjithë drama ka zgjatur rreth 20 minuta, rreth orës 16, për shkak të, siç u tregua, stërvitjes së panjoftuar të njësisë policore speciale “Alfave”, që simuluan reagimin në rast të ndonjë sulmi terrorist ndaj ambasadës së SHBA, pa e njoftuar për këtë ambasadën paraprakisht.

Stërvitja e njësisë policore për përgjigje të parë dhe ndërhyrje, në publik të njohura si “Alfa” është kryer me urdhër të kryeshefit Ivica Ançevski-Puki. Ai i kërkoi të gjitha ekipet në Shkup, me pajisje të plotë të shkojnë pranë ambasadës që të vlerësohet se sa kohë u duhet njësive në rast të një sulmi terrorist.

Megjithatë, Ambasada e SHBA-së për një stërvitje të tillë nuk është njoftuar më parë, gjë e cila është procedurë e rregullt në rast të stërvitjeve.

Burime të BIRN-it thonë se për simulimin, përveç ambasadës nuk e dinte as drejtori i Byrosë për Siguri Mublike Mitko Çavkov, e as ministri Oliver Spasovski. Operacioni është bërë vetëm me urdhër të Pukit, kreut të Alfave.

Të nesërmen është mbajtur takim mes përfaqësuesve të ambasadës dhe përfaqësuesve të MPB-së, ku është konstatuar dhe është pranuar lëshimi i bërë nga forcat maqedonase të sigurisë. Për lëshimin e bërë, Puki ka marrë paralajmërim nga Ivica Vuçevski, kryeshef i SPB-së në Shkup.

“Në ambasadën e SHBA-ve vetëm kanë konfirmuar se ka pasur stërvitje dhe kanë udhëzuan te Ministria e Punëve të Brendshme”.

Incidenti, i cili kaloi pa pasoja serioze, por që dukshëm shqetësoi personelin e Ambasadës, hapi më shumë dilema.

E para, tajmingu. A është rastësi që ndodhi pikërisht ditën kur PSP-ja paraqiti aktakuzat e para, ku të dyshuar janë edhe funksionarë të MPB-së?

Si është e mundur që Puki, i cili edhe vetë është një nga të dyshuarit në rastin “Tortura” të PSP-së, të ketë dhënë urdhër pa dijen e shefave të vet. Me fjalë tjera, mos vallë urdhri ka ardhur nga “lojtarë më të mëdhenj” se Puki?

A thua ka qenë ky mesazh për amerikanët, të cilët janë aktorët kryesore në teoritë e konspiracionit për komplot botëror kundër Maqedonisë?

Apo, ndoshta motivi është që të diskreditohet ministri Spasovski dhe të tregohet se MPB-ja, me apo pa ministër nga partia në pushtet, është deri në fund VMRO.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu