Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe rreth 110 mijë studentë në Kosovë kanë hyrë në javën e tretë që nuk janë duke vijuar procesin mësimor, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
Mësimdhënësit vazhdojnë të jenë këmbëngulës në realizmin e kërkesës së tyre për rritjen e koeficientit të pagës prej 30 për qind.
Por, shqetësuese për prindërit mbetet fakti se si mund të kompensohen orët e humbura të mësimit.
Sipas Udhëzimit Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019 thuhet se për çdo ndryshim të kalendarit, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MASHT) merr vendim të veçantë.










