Si të dallosh një shqiptar që bën pushime qoftë në Shqipëri, qoftë në Maldive

Stereotipet shpesh i shënjestrojmë si të dëmshme për mënyrën se si e konceptojmë dhe komentojmë shoqërinë në përgjithësi, megjithatë këto të fundit, hera-herës, ndodh të mos kenë dalë nga hiçi dhe janë vërtet të goditura.

Në shumicën e rasteve pikërisht këto stereotipe kthehen edhe në batuta dhe shaka mes njëri-tjetrit, duke na e bërë kështu edhe më të lezetshme kohën që ndajmë me të tjerët. (Nëse keni një mik nga Gjirokastra, ju e dini si t’ia nxini jetën për të qenit koprac edhe nëse ata janë njerëzit më zemërgjerë në botë.)

Dhe ja kështu, me sterotipet që i kemi mbi supe ne shqiptarët, ne të Blitz.al menduam të mbledhim disa nga gjërat që na dallojnë 1 orë larg kur jemi me pushime në plazh.

1- Vera, verë, por pa “mëngë të gjata” me vete nuk ke ku shkon!

Mund edhe të jesh duke shkuar në Sahara për pushime verore dhe të preferosh të digjesh atje, por sërish me vete do kesh diçka me mëngë të gjata. Ky është fiksimi i mamave tona (ose gjysheve) edhe pse na acaron si detaj, vazhdojmë e bëjmë dhe madje e trashëgojmë. Ajo gjëja me mëngë të gjata nuk vishet kurrë, por gjithsesi është aty, për siguri, duke zënë gjysmën e valixhes.

2- Pa bukë me vete plazhi nuk quhet plazh

Shqiptarët duan gjithmonë shezllonin në reshtin e parë buzë detit. Dhe këtë gjë e duan aq shumë sa disa ‘ekspertë’ të Dhërmiut e kanë shfrytëzuar këtë detaj për të bërë biznes. Jo më kot në disa plazhe atje, shezlloni në rreshtin e parë (edhe nëse është gjysmë i thyer) kushton dyfish nga shezllonet e tjera. Por jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe jashtë shtetit, nëse gjeni një peshqir që është vendosur që në orën 5:00 të mëngjesit në shezllonin e rreshtit të parë, bingo, gjete një shqiptar të lumtur aty!

4 – Plazh quhet vendi, por nënkuptimin e ka kafene!

Dikush i mençur ka thënë se arsyeja pse ka kaq shumë kafene në Shqipëri lidhet me faktin se shqiptarët edhe punën e bëjnë në kafene duke minimizuar ekzistencën e zyrës në maksimum. E megjithatë, duket se shqiptarët nuk bëjnë vetëm punën në kafe por edhe plazhin. Po, po plazhin. Nëse pranë vendit ku janë shezllonet nuk ka një kafene, ai thjesht nuk është vend i duhur për të pushuar sepse për shqiptarët, nuk të ofron asgjë. Në orën 10:00 duhet një kafe, në orën 11:30 edhe një tjetër, pastaj sërish në kafene për të konsumuar ndonjë birrë dhe kështu ke bërë plazh, me pamje.

5- Zhduku nga fisi, zhduku!

Nëse ndodh që për një palë pushime të bësh pak më shumë shpenzime se zakonisht ka një veprim që duhet bërë para se të nisesh: të zhdukësh fisin nga rrjetet sociale. Po, po, sepse nëse një shqiptar shkon në Kubë (bie fjala) për pushime (mund edhe të ketë kapur një ofertë 200 euro) kur të kthehet që aty do të ketë në rresht te dera e shtëpisë të gjithë fisin që i kërkon lekë borxh sepse ata paskan lekë. Kështu që, më mirë sa të mos komentohen pushimet e tua te të gjithë djemtë e djemve të djemve të dajave më mirë një buton “hide” dhe kështu jetojnë të lumtur shqiptarët.

6- Mëngjes, drekë, darkë: Letra!

Ne shqiptarët jemi të thekur pas lojërave me letra dhe kjo ka një traditë e histori të tërë nga prapa, që nuk shkon t’i hyjmë shumë thellë për momentin. Me rëndësi është fakti se nuk ka të madh a të vogël që nuk di të luajë Murlan, lojën me letra që kushedi sa çifte a sa shoqëri ka futur në sherr thjesht sepse kur kanë pasur radhën kanë gënjyer në ndonjë kolor ku kështu si pa dashje kanë një letër mangët. Ai që humb, e di vetë, ose zhytje në det ose ka për të paguar birrat!

7- Bërtit me sa ke në kokë!

Nuk e dimë saktësisht se pse apo çfarë ndodh, por dimë që në plazh zëri i shqiptarëve thjesht bëhet edhe më i lartë se zakonisht. Epo, nëse jeni në çadër dhe keni ndërmend të lexoni një libër për qejfin tuaj kjo nuk është një ide e mirë pasi gjithë kohës do shpërqendroheni nga ‘komshinjtë’ e çadrës ngjitur të cilët diskutojnë për çështje konfidenciale me një zë sikur t’u kishe vënë mikrofonin. Apo ç’vdesim dhe për pak thashetheme ne!

8 – Gjumi i drekës, çelësi për mama të lumtura!

Një nënë shqiptare ndihet e realizuar plotësisht kur fëmija i saj (që mund të jetë edhe 50 vjeç) në vend që të rrijë në çadër kohën e drekës shkon dhe shtrihet pak në dhomë për të pushuar. Kjo bën pastaj që shqiptarët ta gdhijnë në çadër sepse domosdo në orën 18:00 u del gjumi i drekës dhe atëherë janë të gatshëm të nisin plazhin sërish, pikërisht atëherë ku shumica e të huajve konsumojnë darkën…

/Blitz


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu