Siljanovska Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues, njoftoi sot Kabineti i saj, shkruan Alsat.

Në njoftim thuhet se në pajtim me Kushtetutën, presidentja e ka nënshkruar betimin solemn duke përdorur emrin kushtetues gjegjësisht siç është përgatitur teksti nga shërbimet parlamentare.

Megjithatë, me siguri Siljanovska Davkova do të bëjë përjashtim në përdorimin e emrit kushtetues në daljet publike.

“Në paraqitjet e saj publike, presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vet-identifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues”, thonw nga Kabineti i presidentes.

Reagimi nga Kabineti vjen pasi kryeministri grek Kyriakos Micotakis ka shkruar në Facebook se Siljanovska Davkova me veprimet e saj po minon të ardhmen evropiane të vendit të saj.

“Deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë lëshime të ngjashme. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi korrekt i emrit kushtetues të shtetit fqinj dhe sigurisht nga shmangia e sfidave”, u shpreh Kirjakos Micotakis- kryeministër i Greqisë.

Kreu i shtetit bullgar tha se perspektiva evropiane e vendit varet nga përmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Poashtu, presidenti bullgar Rumen Radev, si dhe kryeministri Dimitar Gllavçev, zyrtarisht njoftuan se janë kundër ndryshimit të kornizës së miratuar negociuese ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, për të cilën është angazhuar VMRO DPMNE.

“Jam i bindur se perspektiva evropiane e RMV-së varet nga zbatimi i përpiktë i marrëveshjeve ndërkombëtare, në të cilat është një nga palët, si dhe nga korniza negociuese e miratuar nga Këshilli evropian në korrik të vitit 2022, e cila, për informim të institucioneve kompetente në RMV, nuk do të rishikohet”, tha Rumen Radev- president i Bullgarisë.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme bëri thirrje për vigjilencë të gjithë faktorëve politikë, pasi siç njoftuan, ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik./ Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu