Siljanovska-Davkova sot do të marrë postin e presidentes së shtetit

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të inaugurohet presidentja e re e shtetit Gordana Siljanovska -Davkova. Në bazë të nenit 81 paragrafit 9 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova në seancën e 151-të parlamentare të caktuar për në mesditë do të japë deklaratë solemne para Kuvendit, pas së cilës fillon mandati i saj pesëvjeçar në krye të shtetit.

Sot skadon mandati i presidentit të deritanishëm, i cili ishte edhe kandidat për mandatin e ri presidencial, Stevo Pendarovski. Siljanovska Davkova, si presidentja e gjashtë që nga pavarësia e vendit dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë pozitë, do ta pasojë Pendarovskin në postin presidencial, pasi e mposhti atë në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj. Ajo mori mbështetjen e 561.000 votuesve, ndërsa Pendarovski 251.899 vota.

Njëkohësisht me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare ku u zgjodh përbërja e re parlamentare e Kuvendit.

Pas inaugurimit të Siljanovska Davkovës, sipas Rregullores së re të Kuvendit, përbërja e sapozgjedhur parlamentare duhet ta mbajë seancën konstituive jo më vonë se 28 maj.

Mandati i deputetëve fillon të rrjedhë nga seanca konstituive e dhomës ligjdhënëse. Sipas përcaktimeve të Kushtetutës, Kuvendi i sapozgjedhur mblidhet në seancë konstituive jo më vonë se 20 ditë pas zgjedhjeve.

Seanca konstituive, sikur edhe e sotmja për inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur të vendit, e thërret kryetari aktual i Kuvendit, Jovan Mitreski.

Nëse ai nuk e bën këtë, në ditën e 21 pas zgjedhjeve, seancën e thërret deputeti më i vjetër dhe ai do ta kryesojë seancën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Kryetari i përbërjes së re parlamentare pritet të zgjidhet më së voni më 1 qershor.

Presidentja Siljanovska Davkova më pas në afat prej dhjetë ditësh nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërjen e Qeverisë duhet t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu