Skandaloze! Vrasja e Almirit përfundon si “aksident” komunikacioni dhe jo si vrasje

Vrasja e qëllimshme e vogëlushit Almir Aliu do të përfundojë si “aksident komunikacioni”, ndërsa dorasi Boban Iliq, do t’i shpëtojë dënimit të merituar. Është vet kryeprokurori Lubomir Jovevski ai i cili para deputetëve të Maqedonisë, në seancën e pyetjeve drejtuar zyrtarëve qeveritar, ka konfirmuar se lënda për vrasjen e 4-vjeçarit nga Kumanova, Almir Aliu, më 25 qershor të vitit 2016, do të përfundojë si “aksident komunikacioni”.

Për rikualifikimin e lëndës, Jovevski fajin ia ka hedhur ish-kryeprokurorit Marko Zvërlevski, për të cilin tha se vendimi është marrë njëherë në Prokurorinë publike, ndërsa më pas është votuar në Prokurorinë republikane. “Vendimi për rikualifikimin e këtij rasti është marrë në Prokurorinë Publike që para se unë të emë- rohesha si kryeprokurorë publik. Më pas lënda është dërguar në Prokurorinë Republikane, ku edhe është votuar për rikualifikim nga ‘vrasje’ në ‘aksident në komunikacion’.

Ky vendim është marrë për shkak të pamundësisë për të përcaktuar paramendimin në vepër tek i akuzuari për vrasje”, tha Jovevski në pyetjen e deputetit të Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi. Me të marrë këtë përgjigje, deputeti Memedi i kërkoi Jovevskit të mos e ndjek rrugën e paraardhësit të tij, Marko Zvërlevski, si dhe të merret parasysh aktakuza për “vrasje” të vogëlushit dhe jo “aksident komunikacioni”, siç ka vendosur tashmë Prokuroria.

“Kërkojmë nga kryeprokurori aktual që të mos e ndjekë shembullin dhe hapat e paraardhësit të tij, Marko Zvërlevski. Të mos rikualifikohet lënda e vrasjes së vogëlushit Almir Aliu në ‘aksident në komunikacion’”, tha deputeti Memedi. Deputeti i BESËS ka komentuar edhe rastin “Alfa”, rast ky ku tre shqiptarë tashmë vuajnë dënime me burg të përjetshëm. “Tashmë avokatët e lëndës kanë kërkuar rigjykim të rastit dhe se në rast se nuk veprojnë organet e drejtësisë, Prokuroria dhe gjykata, do të veprojnë avokatët dhe familjarët e të akuzuarve.

Dua ta pyes ministrin e Punëve të Brendshme se a kanë filluar të veprojnë për zbardhjen e rastin ‘Alfa’, në mënyrë që të zbulohen autorët e vërtetë”, ka thënë Memedi, duke e komentuar një video që thuhet se paraqet autorët e vërtet të vrasjes së policit dhe plagosjes së dy të tjerëve në afërsi të Fakultetit Matematiko-Natyror. Në përgjigjen e tij, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, tha se tha se po bashkëpunojnë me gjykatën dhe prokurorinë që të zbardhet rasti në fjalë.

Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri, njëherësh edhe nënkryetar i kësaj partie, kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Prokuroria që të veprojnë kundrejt kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi, pas publikimit të një fotografie në të cilën kreu i BFI-së shihet me armë në dorë. Zeqiri kërkoi edhe reagim të institucioneve shtetërore që të marrin masa hetuese edhe kundrejt priftit Agatangell për fjalorin e tij të urrejtjes. “Bashkësitë fetare nuk janë mbi ligjet.

Në rrjetet sociale ka fotografi të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame me armë në duar, që është e palejueshme. A do të ndërmarrë diçka MPB? Dhe a do të ndërmarrë masa MPB kundër peshkopit Agatangell, i cili me deklaratat e tij nxit urrejtje mes qytetarëve dhe bën thirrje për gjakderdhje”, pyeti deputeti Zekiri. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu tha se nëse mblidhen dëshmi të mjaftueshme, ministria do të veprojë. Ai shtoi se deputetit në mënyrë të shkruar do t’i përgjigjet më plotë- sisht.(KOHA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu