Skenarët e incidentit ku mbeti në këmbë Ursula von der Leyen! I qëllimtë, apo faji i protokollarit të paaftë

Kur Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shkuan për të takuar Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në Ankara, ata gjetën vetëm dy karrige të vendosura përpara flamujve të BE dhe të Turqisë.

Teksa Michel u ul në karrigen ngjitur me atë të Erdoganit përpara flamurit të BE, von der Leyen u la duke qëndruar në këmbë, atje afër me duart e shtrira, dhe me një shenjë të lehtë proteste për mënyrën sesi ishte inskenuar takimi.

“Ahmmm…” u dëgjua të thoshte për një moment të dukshëm konufzioni dhe irritimi dhe ai moment bëri në kohë rekord xhiron e botës nëpërmjet internetit.

Von der Leyen u “tërhoq” në një divan të vendosur atje pranë përballë me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlut Cavusoglu, që ishte ulur në një tjetër përballë saj.

“Presidentja nuk e mori me sportivitet ngjarjen”- thotë një burim pranë von der Leyen për POLITICO-n.

Nga incidenti në fjalë lindi skandali #sofagate (nga sofa që në anglisht do të thotë divan).

Ishte një moment i shkurtër i një dite të mbushur me debate politike, teksa tre liderët diskutuan si të rikthejnë koordinimin me Turqinë në lidhje me çështje jetësore si emigracioni dhe zhvillimi i bashkëpunimit doganor.

Megjithatë, takimi u la në hije pikërisht për shkak të këtij incidenti të turpshëm që menjëherë “ndezi” shumë debate të nxehtë, duke filluar nga seksizmi dhe deri në rolin e BE-së si një aktor politik i fuqishëm dhe pyetjen që ka krijuar konfuzion për shumë kohë, ajo rreth qendrës së vërtetë të pushtetit në Union dhe në emër të kujt flet BE? Dhe teksa ekipi i von der Leyen dhe ai i Michel po tregonin dy histori të ndryshme në lidhje me çka kishte ndodhur, incidenti ekspozoi një tjetër çështje: Marrëdhënien mes dy liderëve më të rëndësishëm të BE dhe institucioneve të tyre.

Pak orë pas situatës kaotike, një debat i ashpër ishte ndezur në Bruksel në lidhje me protokollin e brendshëm të BE. Sipas ekipit të Michel, çdo gjë shkoi psipas protokollit, teksa ai është më lart në hierarkinë diplomatike europiane.

Por, nga ana tjetër në konferencën ditore të Komisionit, zëdhënësi i shtypit Eric Mamer tha se von der Leyen “duhet të ishte ulur në ekzaktësisht të njëjtën mënyrë si Presidenti i Këshillit Europian dhe Presidenti i Turqisë. Von der Leyen ishte qartazi e befasuar nga mënyra se si u ulën dhe këtë gjë mund ta shikoni dhe në video”- tha Mamer, i cili ka shtuar “ndonëse ajo u surprizua, ajo preferoi, dhe jam i bindur se ishte vendimi i duhur, që t’i japë prioritet substancës të takimit mbi çështjen e protokollit dhe mënyrës sesi ndodhi ngjarja. Von der Leyen dhe ekipi i saj kanë bërë kontaktet e nevojshme për të garantuar se një incident i tillë nuk do të mund të ndodhë sërish.”

Ditën e mërkurë në darkë, pas një dite ku kishte qenë subjekt i kritikave të rënda, Michel theu heshtjen në lidhje me ngjarjen, për të instistuar se nuk ishte indiferent në lidhje me mënyrën sesi von der Leyen u trajtua.

“Disa nga imazhet që u transmetuan japin përshtypjen që ndoshta unë kam qenë i pandjeshëm në lidhje me incidentin. Por, asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës në lidhje me mënyrën sesi u ndjeva.”- ka shkruar ish-kryeministri belg në një postim në Facebook.

Ai shtoi se për shkak të “protokollit strikt” të shërbimeve protokollare turke ishte krijuar një situatë zhgënjyese që uli figurën e Presidentes së Komisionit Evropian.

Por, Michel ndonëse nënvizoi se “situata ishte zhgënjyese”, ai dhe von der Leyen vendosën që të mos e agravojnë çështjen duke krijuar një incident dhe i dhanë prioritetit thelbit të diskutimeve.

Episod simbolik

Incidenti mbartte disa nivele simbolizmi. Pikë së pari, ishte ironia që liderja e rangut më të lartë në BE që është grua u la mënjanë në një takim që pjesërisht ishte organizuar për të luftuar në mbështetje të të drejtave të gruas. Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit, një Traktat europian për të drejtat e njeriut, që kishte për objektiv të luftonte dhunën kundër grave, dhe von der Leyen advokoi për rihyrjen e Turqisë në marrëveshjen multilaterale, përgjatë kësaj vizite.

Politikanë të tjerë nxituan të venë në dukje këtë simbolikë gjinore – dy burra që ulen në karriget e tyre dhe e lenë një grua në këmbë.

“Von der Leyen nuk është problemi. Problemi janë dy burrat e tjerë që e vendosën në atë pozicion”- ka thënë Hannah Neumman, një eurodeputete e Partisë së Gjelbër gjermane.

Në Parlamentin Europian, grupi më i madh ai i Partisë Popullore Europiane (PPE) e dënoi menjëherë ngjarjen: “Dikush duhet të turpërohet për mungesën e formatit të duhur të ulësve. Gratë meritojnë të njëjtin respekt si dhe kolegët e tyre burra”– ka shkruar kreu i këtij grupi në Twitter.

U ngrit gjithashtu dyshimi se Erdogan kishte ngritur një “kurth” politike në të cilën liderët e BE ranë brenda, duke e bërë bllokun të duket naiv nga pikëpamja gjeopolitike dhe duke iu imponuar skenës globale.

Të tjerë vunë në dukje mënyrën sesi Erdogan kishte akomoduar takimet e shkuara me Presidentat e Komisionit dhe Këshillit që kur ishin të dy burra (Jean-Claude Juncker dhe Donald Tusk) dhe të tre ishin ulur pranë njëri tjetrit.

Eurodeputetja liberale, Sophie in ‘t Veld e vuri në dukje këtë dallim, duke nënvizuar se ulja larg e von der Leyen nuk ishte rastësore, por e qëllimshme.

Eurodeputetja lituaneze, Ausra Maldeikiene, anëtare e PPE ka shkruar në Twitter: “Nëse Presidenti turk do të vinte në shtëpinë time, unë do i gjeja një karrige, edhe pse është burrë”.

Michel nën “zjarrin” e kritikave

Disa politikanë europianë kanë fajësuar Michel për këtë skandal diplomatik, duke argumentuar se ai duhet të kishte ndërhyrë në emër të koleges së tij. Ish-Kancelari i Austrisë, Christian Kern nuk përtypi fjalët teksa e tha troç se Presidenti i Këshillit është “qesharak”.

“Nuk mund të presësh diçka tjetër nga Erdogan, por fakti që President i Këshillit Europian e degradon veten në qesharak është i dhimbshëm”– ka thënë social-demokrati Kern.

Një tjetër zyrtar i BE tentoi të limitonte dëmin e skandalit duke u shprehur se “turqit nuk donin të shkaktonin një incident, ata thjesht ndoqën protokollin dhe të njëjtën gjë bëmë dhe ne”.

Zyrtari nënvizoi se vendimet strategjike në lidhje me Turqinë kryesisht janë pjesë e detyrave të Këshillit Europian, të drejtuar nga Michel dhe jo të Komisionit të von der Leyen. Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit, Mamer e rrëzoi këtë interpretim duke thënë se Komisioni ka prioritet në çështjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dhe mobilitetin.

Pas incidentit të shumtë ishin ata që filluan të gërmojnë në Traktatet Europiane për të parë se cila trupë e BE qëndron më lart në hierarkinë protokollare.

Sipas Artikullit 13 të Traktatit të Bashkimit Europian, Komisioni renditet i katërti në “rendin e institucioneve europiane” pas Parlamentit, Këshillit të Europës dhe Këshillit Europian. Por, në praktikë presidenti i Komisionit përfaqëson institucionin që është më i ngjashëm në funksion me një qeveri të BE-së.

I pyetur në lidhje me rendin institucional, Mamer është përgjigjur se “edhe von der Leyen edhe Michel janë të dy presidentë të institucioneve europiane dhe për pasojë duhet të kenë të njëjtin rend protokollar”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu