Smaka: Ndryshimi i nenit të parë të Kushtetutës do ta bënte Kosovën shtet jofunksional

Në Kosovë, përveç nga shumica e liderëve politikë, edhe nga ekspertët e fushave të ndryshme kundërshtohet fuqishëm kërkesa për ndryshime kushtetuese që e cenojnë karakterin unitar të shtetit dhe e vënë në rrezik funksionalitetin e shtetit.

Dr. Riza Smaka, njohës i të Drejtës Kushtetuese dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, thotë se Kosova nuk duhet të lejojë të bëhen kurrfarë ndryshimesh kushtetutese për të mundësuar kompetenca ekzekutive për komunitetin serb.

Dr Smaka tërheq vërejtjen se ndryshimi i nenit të parë i Kushtetutës së Kosovës do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional.

“Do të ishte shumë e ngjashme me Bosnjë e Hercegovinën”, ka thënë Smaka.

Ai ka thënë se proceduralisht është e mundur që propozimi për ndryshime të Kushtetutës të bëhet në Kuvend, por ka theksuar se udhëheqja politike duhet të parandalojë çdo nismë për ndryshime të tilla.

“Nëse këta (liderët politikë) pajtohen, atëherë propozimin e jep presidenti, qeveria apo një grup deputetësh, dhe nëpërmjet qeverisë shkon në Kuvend. Diskutohet nga Komisioni funksional dhe votohet me 2/3 e votave në kuvend, ku kërkohen edhe 2/3 e votave të minoriteve. Procedura nuk është telashe, por nuk do duhet pajtuar politikisht me këtë ndryshim”, ka theksuar Smaka.

Si Smaka, ashtu edhe njohës të tjerë të rendit juridik në Kosovë, kanë tërhequr vërejtjen shumë herë se Pakoja e Ahtisarit, në bazë të të cilës është hartuar Kushtetuta e Kosovës, e ka vënë në zgrip funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese është aktualizuar nga emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel, ku parashihet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se Asociacioni siç është përshkuar në marrëveshje bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 23 pika. Gjykata ka parashikuar mundësinë që këto shkelje të shmangen gjatë procesit të hartimit të Statutit të Asociacionit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu