Ndërkohë që orët kalojnë më të pakta janë shpresat që personat që vazhdojnë të jenë ende nën rrënoja të gjenden të gjallë. Familjarëve të tyre po i’u humbet durimi.
Në këto kohë të vështira shqiptarët anembanë trojeve po solidarizohen me njëri-tjetrin duke organizuar grumbullim të ndihmave pë të prekurit e kësaj fatkeqësie natyrore.
Përveç ndihmave të dërguara nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë edhe rinia e Dibrës së Madhe u solidarizua me këtë rast, njofton InfoShqip.
Në disa pika grumbullimi qytetarët kanë mundur të dërgojnë ndihmat e tyre si ujë, lëngje, ushqime, veshmbathje, batanije dhe gjëra të tjera që kanë menduar se janë të nevojshme.
Ndërkohë në këtë qytet ndihmat kanë qenë të shumta dhe shumë persona janë ofruar ti dërgojnë ato personalisht deri në vendet e prekura në Durrës, Thumanë e vende të tjera.
Solidariteti i qytetarëve ka qenë paparashikueshmërisht shumë i lartë ndërkohë që grumbullimi ka nisur të bëhet në ora 11:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 16:00./InfoShqip.com













