Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, e cila pritet të mbahet sonte, opinioni publik pritet të mësojë detajet e rindërtimit të Qeverisë, përfshirë ministrat që do të largohen dhe ata që do të marrin drejtimin e resorëve qeveritarë njofton INA.
Kryeministri Hristijan Mickoski një ditë më parë refuzoi të zbulojë emra apo ndarje konkrete të resorëve, duke theksuar se për këtë do të flasë vetëm pas përfundimit të mbledhjes së partisë.
“Nuk kemi biseduar për zgjidhje personale apo emra. Në parim kemi marrëveshje për resorët. Siç kam thënë edhe më parë, derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, nuk do të komentoj as resorë e as emra”, deklaroi Mickoski në Trubarevë.
Edhe pse ende nuk ka konfirmime zyrtare, partnerët e koalicionit tashmë kanë bërë të ditura pritjet e tyre lidhur me rindërtimin e kabinetit qeveritar.
Sipas koalicionit VLEN, pas riformatimit të Qeverisë ai pritet të drejtojë gjashtë ministri. Tre prej tyre do të jenë resorë të rinj – Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ndërsa VLEN do të heqë dorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Politikës Sociale.
Nga ZNAM deklarojnë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, pa dhënë më shumë hollësi. Megjithatë, sipas informacioneve që qarkullojnë, kjo parti pritet të humbasë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa si alternativë mund t’i besohet Ministria e Bujqësisë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se po largohet nga posti, duke theksuar se ministrinë e lë në gjendje të mirë.
Përveç ndarjes së resorëve, vëmendja mbetet e përqendruar edhe te emrat që do të marrin drejtimin e ministrive. Rindërtimi pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e kabinetit qeveritar, ndërsa mbetet të shihet nëse kryeministri do të propozojë vetëm zëvendësimin e ministrave të caktuar apo do të kërkojë votim për një përbërje të re të Qeverisë.
Detajet zyrtare të rindërtimit pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të mbledhjes së organeve të VMRO-DPMNE-së, e paralajmëruar për pas orës 20:00./INA/








