Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin sot aktgjykimin në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, të akuzuar janë Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.
Gjatë nisjes së gjykimit, në shkurt të vitit 2026, Prokuroria publikoi edhe audio-incizime nga takimet e Thaçit me vizitorët në paraburgim, të cilat, sipas saj, mbështesnin pretendimet për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Rasti për pengim të drejtësisë është i ndarë nga gjykimi kryesor ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Për këtë çështje më 16 shtator, Gjykata Speciale i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.










