Sot fjala e fundit për Grupin e Kumanovës, Apeli vendos?!

Në Gjykatën e Apelit në Shkup sot vazhdon seanca publike në të cilën duhet të shqyrtohen ankesat e 33 personave të dënuar për këmbim zjarrin e përgjakshëm në Lagjen e trimave në Kumanovë në maj të vitit 2015, gjatë të cilit jetën e humbën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë së shtetit dhe dhjetë anëtarë të grupit të armatosur, ndërkaq 30 persona u lënduan, njofton Koha.mk

Seanca publike dje filloi në mënyrë të tensionuar pasi që disa nga të akuzuarit u ngritën dhe me fjalë ofenduese ndaj gjykatës kërkuan ta braktisin seancën, sepse, siç thanë në gjuhën shqipe nuk e pranojnë gjykatën dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar.

Në seancë morën pjesë vetëm tre nga të akuzuarit, pasi që të tjerët në mënyrë vullnetare e braktisën seancën.

Sipas aktvendimit të Gjykatës themelore Shkup 1 të 2 nëntorit të vitit 2017, për konfliktin e armatosur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 u dënuan 33 persona.

Shtatë nga të akuzuarit morën dënime me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vite, gjashtë me 20, një me 18, dy morën nga 14 vite, dy të tjerë nga 13, ndërsa edhe dy u dënuan me nga 12 vite. Katër morën aktvendime për t’i liruar. Prokuroria atëherë kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu