Çmimet e naftës sot shënuan një ulje të re në tregjet botërore, pasi u publikuan të dhëna që tregojnë se rezervat e naftës së papërpunuar dhe karburanteve në SHBA janë rritur gjatë javës së kaluar.
Megjithatë, rënia e çmimeve u kufizua për shkak të vazhdimit të sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe problemeve me transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas të dhënave më të fundit nga tregjet, kontratat e së ardhmes (futures) të naftës së papërpunuar “Brent” u ulën për 61 centë, përkatësisht për 0,7 për qind, duke arritur çmimin prej 92,53 dollarë për fuçi në orën 05:50 sipas Grinuiçit.
Njëkohësisht, rënie shënoi edhe nafta referente amerikane WTI. Kontratat e saj u liruan për 1,24 dollarë, ose për 1,4 për qind, me ç’rast çmimi zbriti në 84,77 dollarë për fuçi.
Analistët theksojnë se tregu i naftës aktualisht ndodhet nën ndikimin e dy rrethanave të kundërta. Nga njëra anë, rezervat e rritura të naftës dhe karburanteve në SHBA krijojnë presion për uljen e çmimeve, ndërsa nga ana tjetër, tensionet gjeopolitike dhe pengesat në transportin e naftës e mbajnë të lartë pasigurinë në treg.
Vandana Hari, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Vanda Insights”, shpjegon se nafta e papërpunuar është nën ndikimin e vlerës së shtuar të vazhdueshme që krijon rreziku gjeopolitik, veçanërisht për shkak të sulmeve ndaj cisternave (tankerëve) dhe përshkallëzimit të përplasjeve mes SHBA-së dhe Iranit.
Në të njëjtën kohë, disponimi në treg po bëhet gjithnjë e më negativ për shkak të parashikimeve të analistëve se mund të shfaqet një tepricë e konsiderueshme e ofertës së naftës në raport me kërkesën.
Pikërisht këta faktorë krijojnë lëvizje të kundërta në tregjet botërore, për shkak të së cilës çmimet e naftës vazhdojnë të mbeten të ndjeshme ndaj informacioneve të reja për gjendjen e rezervave, zhvillimet gjeopolitike dhe transportin përmes njërit prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë – Ngushticës së Hormuzit.(INA)










