Burime diplomatike të gazetës spanjolle “Objektiv” thonë se fillimisht një zyrë tregtare apo kulturore mund të hapej në Prishtinë, siç ndodhi në kohën e regjimit të Frankos me BRSS dhe vendet tjera komuniste, pa nënkuptuar njohje të plotë, transmeton InfoShqip.
Sekretari i Shtetit për Bashkimin Evropian, Juan Gonzalez-Barba, e bëri të qartë këtë të premte në një seminar të Institutit Mbretëror Elcano. Ai tha se Spanja nuk do ta njohë Kosovën në mënyrë diplomatike derisa të arrihet një marrëveshje bilaterale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por për herë të parë “hapi dyert” për një “kapitull të ri” me autoritetet kosovare.
Në këtë kuptim, Ministri i Punëve të Jashtme theksoi se Spanja dëshiron të jetë “më e përfshirë” në rajon dhe se kjo strategji do të ishte e mangët nëse Kosova vazhdon të injorohet “plotësisht”.
“Duhet të ketë një marrëveshje kompromisi dhe tani po shqyrtojmë forma të ndryshme”, tha ai, duke iu referuar Kosovës në një audiencë të diplomatëve dhe ambasadorëve ballkanikë. Gonzalez-Barba theksoi se ky vendim “do të merret së shpejti”, duke sugjeruar se një hap diplomatik është i pashmangshëm.
“Sigurisht, ne duam që ai vendim të kuptohet nga Serbia, partneri ynë kryesor në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai, duke ditur se sa e nxehtë është çështja në Beograd.
“Ne duam të kontribuojmë në përpjekjet e të gjitha vendeve anëtare dhe të të dërguarit të Përfaqësuesit të Lartë, ish-ministrit të Jashtëm sllovak Miroslav Lajcak, për të arritur një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe shpresojmë që përpjekjet tona do të njihen dhe vlerësohen nga vendet e Ballkanit”- përfundoi ai.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./InfoShqip.com









