Qytetarë të pakënaqur akuzojnë disa të punësuar në Spitalin Qendror të Kumanovës, se nuk janë të kujdesshëm ndaj kërkesave dhe ofrimit të ndihmës ndaj tyre, qoftë ajo ndihmë shëndetësore, ose edhe vetëm për informim, raporton SHENJA.
Rast konkret është Bashkim Qerimi, i cili tregon për papërgjegjësinë e infermiereve, pasi kishte rënë nga kati i parë i shtëpisë, kishte kërkuar ndihmë mjekësore me udhëzim prioritar nga mjeku amë, por fatkeqësisht kjo ndihmë nuk i është ofruar në kohë. Në momentin kur kërkon që të mjekohet, infermierja kishte qenë duke folur në telefon dhe kishte vazhduar edhe për disa momente pa pyetur për hallin e pacientit.
“Pesëmbëdhjetë minuta na detyroi të presim mua dhe një plakë të cilën nuk e priti në mënyrë njerëzore asesi por shtazarake e cila nuk i kushtoi asnjë rëndësi as mua as asaj deri në momentin kur unë u desh të trokas në sportelin për informim dhe pranim të dokumentacionit, nga e cila nuk na pranoi, duke na thënë me dorë se nuk jam në gjendje për të ju shërbyer dhe e ktheu kokën në anën e kundërt…mora iniciativë përmes derës. Në momentin kur unë hyra brenda motra kompetente vazhdonte të fliste në telefon”, deklaroi Bashkim Qerimi, qytetar.
Qerimi shton se kjo sjellje e infermieres e detyroi atë të kërkojë një sqarim dhe të ankohet ndaj saj tek nga mjekja përgjegjëse e atij personeli dhe përgjigjja qesharake siç e cilëson edhe qytetari që mori nga ajo, ishte se si mund të ankohesh ndaj një infermierja e cila është ndër më të mirat që ka ky spital. Dhe kur ai pa se edhe në këtë derë, nuk u mirëprit vendosi që të drejtoj një ankesë drejt drejtorit të spitalit të Kumanovës dhe drejt Ministrisë së Shëndetësisë. Bashkim Qerimi potencon se ky nuk është rasti i vetëm, me sjellje të tilla qytetarët përballen shumë shpesh, por kanë frikë të dalin dhe ta ngrejnë zërin e tyre.
“E gjithë kjo është pasojë pasi që popullata ka rënë në një humnerë qetësie, nga një frikë. E gjithë popullata është e kushtëzuar, secili nga ajo popullatë ka nga një, që e ka fis të punësuar në një punë dhe ka frikë publikisht të dal ta thotë këtë”, tha më tej ai.
Qerimi shtoi se nga kjo ndodhi kanë kaluar 10 muaj, ndërsa edhe pas shumë tentimesh që ka bërë për të kërkuar sqarim nga drejtori i këtij spitali, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje prej tij. Televizioni Shenja kontaktoi drejtorin e spitalit të Kumanovës në lidhje me këtë rast, por pasi që ai nuk e dinte se për cilin rast bëhet fjalë, tha që një prononcim konkret do ta jap në ditët në vazhdim./shenja