Spiun në kohën e komunizmit: Ilir Meta kishte spiunuar shokun e klasës, më pas i bleu heshtjen duke e punësuar si drejtor

Mediat në Shqipëri kanë vijuar të zbardhin detaje për dosjen më të përfolur, atë për rolin e ish-Presidentit Meta në Sigurimin e Shtetit. Mediumi Vox News ka zbërthyer rolin e ish-Presidentit Meta në Sigurimin e Shtetit.

E gjitha fabula nis në vitet 1988-1989, ku studenti Filip Talo, shok me Ilir Metën, vendos të arratiset drejt Greqisë. Këtë plan, Filip Talo e ndan në mirëbesim me shokun e ngushtë, Ilir Metën, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë dhe ish-President i Republikës.

Pas këtij rrëfimi mes miqsh, plani i Filip Talos dekonspirohet dhe ai thirret i pandehur. Sipas dosjes së sigurimit, prej 140 faqesh përballë gjykatës merret në pyetje Filip Talo, për arsyet e arratisjes jashtë vendit. Pjesë e dëshmive del dhe Ilir Meta, i cili deklaron publikisht se kishte dëgjuar nga shoku, planin e arratisjes në drejtim të Greqisë.

Ky episod është i zbardhur me detaje në dosjen e Sigurimit të Shtetit, ku është qartazi emri i Ilir Rexhep Metaj si dëshmitar kundër Filip Talos. Pas kësaj, me rënien e regjimit dhe me ardhjen e demokracisë dhe përfshirjen e Ilir Metës në politikë, ky i fundit u kujdes që të pastronte të kaluarën e tij si pjesë e Sigurimit të Shtetit.

Personi që e dinte më mirë se kushdo, që Ilir Meta ka punuar për Sigurimin, ishte Filip Talo. Për të siguruar heshtjen e tij, Meta u kujdes që ta afronte, ta joshte duke e futur në parti dhe më pas t’i blinte heshtjen duke e punësuar gjatë qeverisjes PD-LSI.

Sipas të dhënave nga Tatimet, Filip Talo është punësuar si Kryetar i Vlerësimit të Ofertave në Drejtorinë e Metrologjisë, që merret me kontrollin e naftës dhe nënprodukteve të saj. Talo është punësuar kur drejtor ishte zyrtari i LSI-së, Gledion Rahovica dhe ministra të linjës ishin Nasip Naço dhe Edmond Haxhinasto.

Punësimi i Filip Talos në këtë institucion shihet zbardhet edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar në vitin 2013 dhe që ka gjetur në shkelje shokun e dhomës së Ilir Metës.

Kjo do të thotë se Ilir Meta përveç makinacioneve e manovrave përmes modifikimit të mbiemrit të tij (nga Metaj në Meta), është përpjekur në këto 3 dekada të mbaj të fshehur një nga periudhat më te errta të jetës së tij, atë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit përmes blerjes e joshjes së dëshmitarit kryesor.

Ilir Meta ka manipuluar dëshmitarin kryesor, duke e blerë me vend pune dhe Filip Talo mund të dalë e të deklarojë publikisht se nuk është ai pjesë e dosjes, apo se nuk e ka spiunuar Ilir Meta. Por kjo nuk ka asnjë efekt.

E para sepse në regjistrin e gjendjes civile vetëm një person ka me emër Filip Talo dhe me vitlindje të njëjtë me Ilir Metën dhe e dyta sepse dosja e Ilir Metës nuk është bërë nga Filip Talo, por nga Sigurimi i Shtetit dhe aty është e shkruar e zeza mbi të bardhë që ‘Ilir Rexhep Metaj’ është bashkëpunëtori ynë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu